Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala ka folur mbi ndikimin në rritje të Inteligjences artificiale në mjekësi, duke e cilësuar atë si një nga elementët kyç në transformimin e diagnostikës moderne.
Gjatë një leksioni të hapur me studentë dhe profesionistë të fushës së mjekësisë, ministrja Sala ndau qasje bashkëkohore mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në diagnostikimin e sëmundjeve, duke theksuar rëndësinë që ka përvetësimi i teknologjive të reja nga brezi i ri i mjekëve.
Në bashkëbisedim me studentët, ajo solli edhe eksperiencën e saj profesionale dhe akademike të zhvilluar në qendra prestigjioze mjekësore si University of Cambridge, struktura në New York dhe Itali, veçanërisht në fushën e diagnostikimit të sëmundjeve onkologjike.
“IA nuk do zëvendësojë radiologët, por do zëvendësojë ata që nuk e përdorin atë”, deklaroi ministrja Sala, duke nënvizuar se teknologjia duhet parë si mbështetje për profesionistët dhe jo si zëvendësim i tyre.
Në fokus të leksionit ishin risitë më të fundit në diagnostikë dhe mënyra se si Inteligjenca Artificiale po ndihmon në rritjen e saktësisë së diagnozave, analizimin më të shpejtë të të dhënave mjekësore dhe mbështetjen e vendimmarrjes klinike.
Ministrja inkurajoi studentët të përqafojnë inovacionin dhe të bëhen pjesë aktive e zhvillimeve të reja në mjekësi, duke theksuar se profesionistët e rinj do të kenë rol kyç në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më modern, më efikas dhe të orientuar drejt teknologjisë.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e implementimit të Inteligjencës Artificiale në sistemin shëndetësor shqiptar, si pjesë e procesit të modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore.



