back to top
28.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaFinancial Times: Zero dollarë në fondin e Bordit të Paqes

Financial Times: Zero dollarë në fondin e Bordit të Paqes

Fondi i krijuar nga Banka Botërore për Bordin e Paqes të promovuar nga Donald Trump për administrimin dhe rindërtimin e Gazës nuk ka marrë ende asnjë financim, pavarësisht premtimeve që arrijnë në 17 miliardë dollarë nga SHBA-ja dhe vende të tjera partnere. Lajmi është bërë publik nga Financial Times, duke cituar katër burime të njohura me çështjen.

“Janë depozituar zero dollarë”, tha një prej burimeve për gazetën britanike.

Sipas raportimit, Bordi i Paqes ka marrë disa donacione, por ato janë depozituar drejtpërdrejt në një llogari të tij në JPMorgan dhe jo përmes fondit të administruar nga Banka Botërore. Një zyrtar i bordit deklaroi për Financial Times se ishin krijuar disa mekanizma për financim, por kontribuuesit kishin zgjedhur rrugë alternative.

Raporti thekson se llogaria në JPMorgan nuk ka detyrim të raportojë gjendjen financiare te kontribuuesit apo anëtarët e bordit, ndryshe nga mekanizmat standardë të Bankës Botërore.

Sipas Financial Times, Maroku ka kontribuar me rreth 20 milionë dollarë për financimin e zyrës së Nickolay Mladenov, përfaqësues i lartë për Gazën pas luftës, si dhe për pagesat e komitetit teknokratik palestinez të ngritur nga bordi.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë premtuar 100 milionë dollarë për trajnimin e një force të re policore në Gaza, por fondet mbeten të ngrira dhe programi ende nuk ka nisur.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka planifikuar rialokimin e rreth 1.2 miliardë dollarëve nga fondet ekzistuese të ndihmës për projekte të lidhura me axhendën e bordit, por deri tani asnjë shumë nuk është shpërndarë.

Një ndihmës i lartë i Kongresit amerikan deklaroi për Financial Times se asnjë nga këto fonde nuk menaxhohet nga Bordi i Paqes dhe se nuk ekziston ende një plan që fondet amerikane të administrohen prej tij.

Raporti nënvizon gjithashtu se Bordi i Paqes nuk ka nisur ende operacionet në Gaza, ndërsa mungojnë sistemet për administrimin e ndihmave dhe projekteve të rindërtimit. Zëdhënësi i bordit deklaroi se nuk është dhënë ende asnjë kontratë për sigurinë apo rindërtimin, pasi situata në terren mbetet e paqëndrueshme dhe Hamasi nuk është çarmatosur.

Në artikull përmendet edhe Shqipëria, e cila është pjesë e vendeve mbështetëse të Bordit të Paqes. Kuvendi shqiptar miratoi në janar 2026 marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë ndërkombëtare, me argumentin se pjesëmarrja forcon profilin diplomatik të Shqipërisë dhe partneritetin strategjik me SHBA-në.

Megjithatë, deri tani nuk është bërë publik ndonjë kontribut financiar i drejtpërdrejtë nga Shqipëria për fondin e Bordit të Paqes. Sipas Financial Times, pavarësisht angazhimeve politike dhe premtimeve ndërkombëtare, fondi zyrtar i ngritur nga Banka Botërore vazhdon të mbetet pa financime konkrete.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat