Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të mërkurë, 27 maj, vendimin e ri për çmimet e karburanteve në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi nga ora 13:30.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e radhës së Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë maksimumi 190 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar jo më shumë se 178 lekë për litër.
Për benzinën, Bordi i Transparencës ka vendosur që çmimi i shitjes me pakicë të mos kalojë 179 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë maksimumi 167 lekë për litër.
Autoritetet bëjnë me dije se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të reflektohen zhvillimet dhe ndryshimet e reja në tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve.
Në njoftimin zyrtar, Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi.



