Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me investimin e planifikuar në Zvërnec dhe projektin që lidhet me kompaninë e Jared Kushner.
Përmes një postimi publik, Kokalari vuri në pikëpyetje të drejtën morale dhe politike të Berishës për të komentuar mbi projektin, duke përdorur tone të forta ndaj liderit demokrat dhe rolit të tij në opozitë.
“Në çfarë kapaciteti jep mend Sali Berisha për kompaninë e Jared Kushner dhe Zvërnecin? Kryetar i opozitës NUK je”, shkruan ajo në reagimin e saj.
Më tej, Kokalari e akuzon Berishën se po mban peng Partinë Demokratike dhe strukturat e saj, ndërsa pretendon se qëndrimet e tij lidhen me interesa personale politike.
Në reagimin e saj, ajo rezervoi kritika edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se situata aktuale politike ka ardhur edhe si rezultat i mënyrës se si, sipas saj, është menaxhuar raporti me opozitën.



