Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjeruar hetimet ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku, ndërsa Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi një vilë në zonën e Gjilekës, Dhërmi, që sipas hetuesve dyshohet se lidhet me përfitime të parregullta nga procedura publike.
Sipas SPAK, hetimet po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, ku Balluku rezulton e marrë e pandehur fillimisht për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”, ndërsa tashmë ndaj saj janë ngritur dyshime edhe për vepra të tjera penale, përfshirë korrupsionin pasiv dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Me vendimin nr. 412, datë 3 qershor 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi një pasuri të paluajtshme në resortin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut, Bashkia Himarë.
Bëhet fjalë për një vilë individuale dykatëshe tip “Begonia”, me numër F6, e ndërtuar në një parcelë prej rreth 300 metrash katrorë, me sipërfaqe ndërtimi mbi 145 m², verandë 34 m² dhe vendparkim brenda parcelës.
Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se kjo pasuri është përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik “Eurocol” sh.p.k., në një procedurë prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a., institucion ku Balluku ka ushtruar më parë funksionin e Drejtoreshës së Përgjithshme.
Hetuesit pretendojnë se gjatë procedurës së prokurimit për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit rreth 88.6 milionë lekë dhe vlerë kontrate mbi 14.1 milionë lekë pa TVSH, janë konstatuar shkelje të ligjit për prokurimet publike, përfshirë vendosjen e kritereve favorizuese dhe krijimin e avantazheve të paligjshme për operatorin fitues.
Sipas dosjes hetimore, favorizimi i kompanisë fituese nuk është kufizuar vetëm në fazën e tenderimit, por dyshohet të ketë vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, përmes parapagimeve dhe ndryshimeve kontraktore që, sipas hetuesve, krijuan përfitime të padrejta.
SPAK pretendon se në këmbim të këtij favorizimi, Balluku dyshohet se ka përfituar indirekt pasurinë në Dhërmi, me vlerë të përllogaritur rreth 145 mijë euro.
Hetimi ka evidentuar gjithashtu dyshime për përdorimin e personave të tretë dhe marrëdhënieve juridike të konsideruara fiktive, me qëllim fshehjen e pronësisë reale të pasurisë.
Sipas prokurorisë, në këtë skemë dyshohet se janë përdorur kontrata porosie, kontrata qiraje dhe dokumente të tjera juridike, të cilat po verifikohen për të përcaktuar nëse janë përdorur për fshehjen e origjinës së pasurisë.
Paralelisht, hetimet po vijojnë edhe për procedura të tjera ku Balluku është nën akuzë, përfshirë dosjen që lidhet me tunelin e Llogarasë dhe procedurat e tenderimit për segmente të Unazës së Madhe.
SPAK bën me dije se hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për secilin prej tyre.



