KreuDrejtësiaNgërç në KLGJ/ Emërimet në GJKKO mbeten pezull

Ngërç në KLGJ/ Emërimet në GJKKO mbeten pezull

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka shtyrë shqyrtimin e projektvendimeve për kandidaturat që garojnë për drejtimin e disa prej gjykatave më të rëndësishme në vend, përfshirë Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes plenare të zhvilluar këtë të mërkurë, ku KLGJ vendosi të mos marrë ende një vendim për verifikimin e kritereve të kandidatëve për postet drejtuese, duke e shtyrë shqyrtimin për një mbledhje tjetër.

Në pritje mbeten kandidaturat e Engert Pëllumbit dhe Dhimitër Larës për postin e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe kandidatura e Erjon Çelës për drejtimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Po ashtu, u shty edhe shqyrtimi i kandidaturës së Ermira Dedjës për postin e kryetares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe ai i Ramiz Lalës për drejtimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Në të njëjtën mbledhje, KLGJ vendosi të vijojë procedurat e verifikimit për tre ndihmëset ligjore të emëruara përkohësisht pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Blerta Hamzallari, Eglantina Shabanaj dhe Klaida Muçaj.

Këshilli miratoi gjithashtu vendimin për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e një çështjeje të veçantë në një gjykatë tjetër nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

Ndërkohë, u shty edhe shqyrtimi i projektvendimit që lidhet me njohjen e të drejtës së Klodian Kurushit për përfitimin e pagës si gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në fund të mbledhjes, KLGJ miratoi kualifikimin dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit për kandidatët Etleva Gjamo, Gentiana Xhelili dhe Sokol Ibi.

Me shtyrjen e vendimmarrjes për postet drejtuese në GJKKO, procesi për emërimin e drejtuesve të rinj të gjykatave të posaçme mbetet i hapur, ndërsa KLGJ nuk ka bërë të ditur ende afatin kur këto kandidatura do të rikthehen për shqyrtim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat