KreuAktualitetBotaKomisioni Evropian konfirmon spiunazhin hungarez në selinë e BE-së

Komisioni Evropian konfirmon spiunazhin hungarez në selinë e BE-së

Komisioni Evropian ka konfirmuar, pas një hetimi zyrtar se shërbimet hungareze të inteligjencës vendosën agjentë në përfaqësinë diplomatike të Hungarisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë viteve 2013-2016, ku zhvilluan aktivitete që shkonin përtej detyrave të zakonshme diplomatike.

Konfirmimi vjen përmes një letre të komisionerit evropian për Buxhetin dhe Administratën Publike, Piotr Serafin, drejtuar eurodeputetëve. Sipas Komisionit Evropian, disa oficerë të inteligjencës operuan nga misioni diplomatik hungarez për një “mision specifik”, i cili nuk lidhej me funksionet normale të një përfaqësie diplomatike.

Sipas hetimit, aktivitetet nisën në mënyrë diskrete, por u bënë më të dukshme pas vitit 2015, duke kufizuar efektivitetin e operacionit. Komisioni vlerëson se misioni përfundoi në vitin 2016 dhe nuk shkaktoi shkelje serioze të sigurisë së institucioneve evropiane.

Hetimi nuk atribuon përgjegjësi individuale përtej oficerëve të inteligjencës dhe nuk përmend emra zyrtarësh politikë. Megjithatë, periudha përkon me kohën kur përfaqësia hungareze në Bruksel drejtohej nga Olivér Várhelyi, aktualisht komisioner evropian nga Hungaria, i cili ka mohuar vazhdimisht se kishte dijeni për aktivitetet e pretenduara.

Dyshimet për spiunazh u publikuan fillimisht vitin e kaluar nga media investigative hungareze Direkt36, në bashkëpunim me media belge dhe gjermane. Sipas raportimeve, inteligjenca hungareze kishte tentuar të rekrutonte zyrtarë evropianë dhe të siguronte dokumente konfidenciale nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian thekson se përdorimi i përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare si bazë për aktivitete të inteligjencës ndaj vetë institucioneve të Bashkimit Evropian konsiderohet një rast i paprecedentë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat