Një histori e pazakontë, që ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane, lidh një vjedhje të ndodhur në Itali me një resort turistik në bregdetin shqiptar. Rreth 350 shezlongë të vjedhur nga një klub plazhi në Itali janë identifikuar në një strukturë turistike në Kepin e Rodonit, në veri të Durrësit, ende me logon e biznesit italian të stampuar mbi to.
Sipas medias italiane, pajisjet i përkisnin klubit të plazhit “Onde Chiare”, në Via Fenulli të Reggio Emilia-s, dhe u vodhën në qershor të vitit 2024. Brenda një nate, autorë ende të paidentifikuar morën rreth 350 shezlongë, me një vlerë totale që kalon 45 mijë euro.
Për habinë e pronarëve, një vit më vonë shezlongët u shfaqën në një resort bregdetar në Shqipëri. Identifikimi i tyre ishte i menjëhershëm, pasi logoja e “Onde Chiare” ishte ende e dukshme.
Menaxherët e klubit italian, Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, vendosën të ndjekin rrugën ligjore për rikuperimin e pronës së tyre. Ata angazhuan avokatin Gianluca Dallari, i cili bashkëpunoi me një përfaqësues ligjor në Shqipëri për nisjen e procedurave.
“Madje menduam të shkonim vetë për t’i marrë, por vendosëm të veprojmë sipas ligjit. Avokati ynë gjeti një përfaqësues ligjor në Shqipëri dhe nisi procedurat për rikuperimin e tyre”, ka deklaruar Costoli.
Sipas pronarëve, autoritetet shqiptare duhej të kishin ndërhyrë për sekuestrimin e shezlongëve, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
“Teorikisht, shezlongët tanë duhej të ishin sekuestruar dhe vendosur nën ruajtje. Në vend të kësaj, një klient i yni që ishte së fundmi në Durrës na dërgoi një video ku duken ende duke u përdorur nga pushuesit”, tha ai.
Përballë mungesës së një zgjidhjeje konkrete, drejtuesit e klubit italian vendosën ta bëjnë publik rastin duke iu drejtuar mediave lokale në Itali dhe emisionit investigativ “Le Iene”, si edhe duke kërkuar vëmendjen e institucioneve shqiptare.
Pavarësisht kësaj ngjarjeje, Costoli theksoi se biznesi i tij ka pasur bashkëpunime të shumta me furnitorë shqiptarë ndër vite dhe nuk ka hasur probleme të ngjashme më parë.
“Shpresojmë që dikush të interesohet për rastin tonë, sepse nuk dimë më se cilën rrugë të ndjekim”, u shpreh ai.
Për të sensibilizuar opinionin publik, klubi italian publikoi edhe një mesazh në rrjetet sociale që mori miliona shikime.
“Nëse shkoni me pushime në Kepin e Rodonit, përshëndetni shezlongët tanë! Tingëllon si shaka, por fatkeqësisht është e vërtetë”, shkruhej në postim.
Pronarët tregojnë se, pas identifikimit të shezlongëve në Shqipëri, kanë shpenzuar kohë dhe para për përkthimin e dokumenteve, angazhimin e avokatëve dhe ndjekjen e procedurave ligjore në të dy vendet.
Megjithatë, sipas tyre, videot më të fundit tregojnë se pajisjet vazhdojnë të ndodhen në të njëjtin resort turistik dhe përdoren normalisht nga pushuesit.
“Duam vetëm të kuptojmë se si është e mundur që një vjedhje prej 45 mijë eurosh, me pronat e identifikuara dhe të dokumentuara prej më shumë se një viti, ende nuk është zgjidhur”, shprehen pronarët e klubit italian.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në mediat italiane, ndërsa pronarët shpresojnë që presioni publik dhe mediatik të ndihmojë në ndërhyrjen e autoriteteve për zbardhjen dhe zgjidhjen e çështjes.



