Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar lidhur me dy kërkesat e paraqitura nga Partia Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, duke rrëzuar atë për çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, dhe duke pranuar kërkesën për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Sa i përket çështjes McGonigal, Gjykata Kushtetuese vlerëson se kërkesa e opozitës nuk plotëson kriteret kushtetuese për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Sipas vendimit, objekti i propozuar nuk përmbush kushtin e ekzistencës së një “çështjeje të veçantë”, pasi nuk përcakton në mënyrë të qartë faktet apo grupin e fakteve që do t’i nënshtroheshin hetimit parlamentar.
Në vendimin e saj, Gjykata argumenton se kërkesa nuk arrin të individualizojë me saktësi objektin e hetimit, çka e bën të pamundur ushtrimin e funksionit kushtetues të komisionit hetimor.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si të ligjshme kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi procesin zgjedhor të 11 majit 2025, duke mos pranuar argumentet e paraqitura nga Kuvendi për rrëzimin e saj.
Trupa kushtetuese ka rrëzuar pretendimin e Kuvendit se ngritja e këtij komisioni do ta shndërronte Parlamentin në një “superorgan”, duke theksuar se ushtrimi i kompetencave hetimore parlamentare është pjesë e rolit kushtetues të Kuvendit.
Po ashtu, Gjykata nuk e konsideron të bazuar argumentin se komisioni hetimor do të krijonte mbivendosje me Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në arsyetimin e saj, ajo sjell në vëmendje precedentë të ngjashëm të krijuar edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur mekanizma të ndryshëm parlamentarë kanë funksionuar paralelisht pa cenuar kompetencat e njëri-tjetrit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep kështu opozitës të drejtën për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa mbyll debatin kushtetues mbi kërkesën për hetimin parlamentar të çështjes McGonigal.



