Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për përvetësimin e dyshuar të rreth 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar nën akuzën e abuzimit me fondet e destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria ka paraqitur të dhëna të tjera nga dosja hetimore, duke përfshirë edhe pretendimet për frekuentimin e kazinove nga drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj.
Para gjykatës, Mataj ka pranuar se ka frekuentuar ambiente të tilla, por ka kundërshtuar që kjo të lidhet me akuzat ndaj saj. Ajo është shprehur se nuk ka pasur ndonjë ndalim ligjor apo kontraktor që ta pengonte të shkonte në lokale, bare apo kazino.
“Jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj gjatë seancës.
Ish-drejtoresha ka mohuar gjithashtu pretendimet se i është shmangur drejtësisë. Ajo ka deklaruar se kishte planifikuar një udhëtim jashtë vendit më 10 korrik, ndërsa në datat 13 dhe 14 korrik ka qenë në detyrë.
E pyetur nga gjykata për destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh të rinj që dyshohet se është përvetësuar, Mataj mësohet të jetë përgjigjur se nuk ka dijeni se ku kanë përfunduar paratë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën se si është realizuar skema e dyshuar, rolin e secilës prej tre të arrestuarave dhe fatin e shumës financiare, e cila ishte parashikuar për pagesat sociale ndaj qytetarëve.



