Megjithëse burimet financiare të bashkive në vend kanë shënuar rritje gjatë dekadës së fundit, struktura e shpenzimeve vijon të mbetet një sfidë, veçanërisht për bashkitë e vogla dhe të mesme. Të dhënat e Raportit të Financave Vendore 2025 tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e buxheteve vendore shkon për paga, sigurime dhe shpenzime operative, ndërsa investimet kapitale mbeten në nivele relativisht të ulëta.
Sipas raportit, në shumë bashki të vogla dhe të mesme, më shumë se 60% e buxhetit përdoret për mbulimin e pagave dhe shpenzimeve operative. Ndërkohë, bashkitë më të mëdha paraqesin një strukturë më të balancuar të shpenzimeve, duke dedikuar një pjesë më të madhe të fondeve për investime.
Analiza krahasuese e strukturës së shpenzimeve për vitet 2015 dhe 2025 tregon se aktualisht vetëm 18% deri në 20% e shpenzimeve vendore shkojnë për investime kapitale, ndërsa pjesa tjetër përdoret për shpenzime administrative dhe operative.
Në total, bashkitë kanë shpenzuar gjatë vitit 2025 rreth 92.4 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 40 miliardë lekë janë përdorur për paga dhe sigurime shoqërore, 29.1 miliardë lekë për shpenzime operative dhe vetëm 23.2 miliardë lekë për investime.
Të dhënat sugjerojnë se rritja e buxheteve vendore nuk është reflektuar plotësisht në zhvillimin ekonomik lokal, veçanërisht në bashkitë e vogla, ku kapaciteti investues mbetet i kufizuar.
Në anën tjetër, bashkitë e mëdha kanë një peshë më të lartë të investimeve në strukturën e shpenzimeve të tyre. Në vitin 2025, rreth 40% e buxhetit të Bashkisë Tiranë është përdorur për investime, ndërsa në bashki të tjera të mëdha si Durrësi dhe Elbasani, investimet përbëjnë rreth 30% të buxhetit total.
Investimet nga burimet e veta të bashkive janë rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, nga 12 miliardë lekë në vitin 2015 në rreth 23.2 miliardë lekë në vitin 2025. Këto investime janë përqendruar kryesisht në projekte të infrastrukturës rrugore, sistemet e ujitjes dhe kullimit, menaxhimin e mbetjeve si dhe zhvillimin urban.
Ndërkohë, rritja e shpenzimeve për paga, sigurime dhe shpenzime operative ka ardhur paralelisht me zgjerimin e kompetencave dhe shërbimeve të bashkive. Pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2015, njësitë vendore administrojnë territore më të mëdha dhe ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët, çka ka sjellë edhe nevojën për rritjen e stafit dhe të kostove administrative.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve për paga ka qenë transferimi i funksioneve nga ministritë e linjës te bashkitë, proces i shoqëruar me transferimin e personelit përkatës, duke rritur më tej barrën financiare të pushtetit vendor.



