KreuAktualitetPolitikaGjyqi për “Partizanin”/ Berisha: Janë 35 falsifikime të Prokurorisë Speciale në këtë...

Gjyqi për “Partizanin”/ Berisha: Janë 35 falsifikime të Prokurorisë Speciale në këtë proces

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tij në dosjen “Partizani” është i bazuar në falsifikime dhe se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.

I pyetur për dëshminë e pritshme të ish-Presidentit Bamir Topi në seancën gjyqësore, Berisha tha se nuk ka dijeni për arsyet konkrete të thirrjes së tij, duke shtuar se këtë e dinë vetëm organet që e kanë thirrur.

“Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë prokurori ose gjykatësi. Në hamendjen time, ai është thirrur sepse ka qenë President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Mund të pyetet se çfarë dinte për situatën dhe aspektet që lidhen me sigurinë në atë kohë”, u shpreh Berisha.

Sa i përket mundësisë që Bamir Topi të dëshmojë në favor të tij, Berisha deklaroi se nuk ka nevojë për dëshmi në mbështetje të tij, pasi sipas tij, faktet tregojnë se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore në këtë çështje.

“Nuk kam nevojë që askush të dëshmojë pro meje, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare se nuk ka asnjë shkelje ligjore, as edhe më të voglën. Procesi përmban trillime të paimagjinueshme”, tha ai.

Berisha u shpreh se dosja është ndërtuar mbi falsifikime dokumentesh dhe faktesh, duke iu referuar edhe librit të tij “35 falsifikimet e Prokurorisë Speciale”, ku, sipas tij, evidentohen shkeljet e pretenduara të organit të akuzës.

“Sipas meje, i gjithë procesi është ndërtuar mbi falsifikime dokumentesh dhe faktesh. Është një piramidë mashtrimi e shembur”, deklaroi kreu i PD-së.

Ai shtoi se dëshmitarët e deritanishëm kanë konfirmuar se procedurat janë kryer në përputhje me ligjin dhe se në procesin e privatizimit dhe të parablerjes kanë qenë të përfshirë dhjetëra zyrtarë dhe punonjës të institucioneve shtetërore, asnjëri prej të cilëve nuk është marrë i pandehur.

“Minimumi 60 apo 70 ministra, drejtorë agjencish dhe punonjës kanë firmosur dokumente në këtë proces dhe asnjëri prej tyre nuk është në ndjekje penale, sepse kanë zbatuar ligjin”, u shpreh Berisha.

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për vendime që, sipas tij, kanë favorizuar persona të afërt me pushtetin, duke përmendur emrat e Olsi Ramës dhe Karlo Bolinos.

Dosja “Partizani” vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa në seancat e radhës pritet dëgjimi i dëshmitarëve të thirrur nga palët në proces.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat