KreuDrejtësia26 zyrtarë të PS-së, në dosjet e SPAK-ut/ Emrat dhe akuzat ndaj...

26 zyrtarë të PS-së, në dosjet e SPAK-ut/ Emrat dhe akuzat ndaj tyre

Prej krijimit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhjetëra zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste kanë qenë objekt i hetimeve, procedimeve penale, arrestimeve apo proceseve gjyqësore. Në listë përfshihen ish-zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtues institucionesh shtetërore.

Ndërsa një pjesë e tyre janë dënuar me vendime të formës së prerë, të tjerë vijojnë të jenë nën hetim ose janë shpallur të pafajshëm për një pjesë të akuzave të ngritura ndaj tyre.

Mirlinda Karçanaj – Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është nën hetim në dosjen e tenderëve të AKSHI-t për dyshime që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera dhe abuzimin me fondet publike. Hetimet vijojnë ende.

Arben Ahmetaj – Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Financave është shpallur në kërkim ndërkombëtar në dosjen e inceneratorëve. SPAK e akuzon për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Ahmetaj ndodhet jashtë vendit, ndërsa procesi penal ndaj tij vijon.

Saimir Tahiri – Ish-ministri i Brendshëm është dënuar me vendim të formës së prerë për shpërdorim detyre në çështjen “Habilaj”. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda që lidheshin me trafikimin e narkotikëve dhe korrupsionin.

Vangjush Dako – Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit u arrestua dhe më pas u dënua për shpërdorim detyre lidhur me një leje ndërtimi të dhënë në kundërshtim me ligjin.

Ilir Beqaj – Ish-ministri i Shëndetësisë është arrestuar në dosjen SASPAC për korrupsion dhe abuzim me fondet e Bashkimit Europian. Gjithashtu, emri i tij figuron edhe në hetimet për koncesionin e sterilizimit. Proceset ndaj tij janë ende në zhvillim.

Lefter Koka – Ish-ministri i Mjedisit është një nga zyrtarët më të lartë të dënuar nga SPAK në dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Ai është dënuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Elvis Roshi – Ish-kryebashkiaku i Kavajës është proceduar penalisht për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit. Ai nuk është hetuar nga SPAK për korrupsion apo vepra që lidhen me ushtrimin e funksioneve publike.

Erion Veliaj – Kryetari i Bashkisë së Tiranës ndodhet nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë veprime hetimore dhe çështja vijon të shqyrtohet.

Alqi Bllako – Ish-deputeti socialist dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është dënuar për korrupsion pasiv në kuadër të dosjes së inceneratorëve.

Safet Gjici – Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit është dënuar për korrupsion pasiv, pas publikimit të videoskandalit në zyrën e tij. Ai u shpall fajtor për shpërdorimin e funksionit publik kundrejt përfitimeve të paligjshme.

Fatos Tushe – Ish-kryebashkiaku i Lushnjës është dënuar për shkelje të procedurave të prokurimeve publike dhe shpërdorim detyre.

Lefter Alla – Ish-kryebashkiaku i Bulqizës është dënuar për shkelje të ligjit në tenderë publikë dhe shpërdorim detyre.

Fran Tuci – Ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit është marrë i pandehur për shpërdorim detyre lidhur me procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Edison Memolla – Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës është hetuar nga SPAK për çështje që lidhen me zgjedhjet vendore dhe dyshime për korrupsion zgjedhor.

Kreshnik Hajdari – Kryebashkiaku i Kuçovës është proceduar për çështje që lidhen me ligjin e dekriminalizimit dhe formularin e vetëdeklarimit.

Belinda Balluku – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës është kallëzuar disa herë në SPAK nga opozita për çështje që lidhen me investimet publike, por deri më sot nuk ka një akuzë penale të ngritur ndaj saj dhe asnjë masë sigurie.

Jorgo Goro – Ish-kryebashkiaku i Himarës është arrestuar dhe akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me tjetërsimin e pronave shtetërore në zonën bregdetare.

Plarent Ndreca – Deputeti socialist është nën hetim për procedurat e rindërtimit të komisariateve të policisë, ndërsa SPAK ka kryer kontrolle dhe sekuestrime dokumentesh në kuadër të hetimit.

Leonard Hita – Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është dënuar në dosjen e inceneratorit të Elbasanit për shkelje që lidhen me procedurat koncesionare.

Agim Kajmaku – Ish-kryebashkiaku i Vorës është proceduar për falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit të dekriminalizimit, duke humbur edhe mandatin e tij.

Rakip Suli – Kryebashkiaku i Kamzës është kallëzuar dhe hetuar për çështje që lidhen me procedurat e tenderimit, pa pasur deri më tani një vendim penal ndaj tij.

Qerim Ismailaj – Kryebashkiaku i Mallakastrës është hetuar për çështje që lidhen me ligjin e dekriminalizimit. Qerim Ismailaj është dënuar nga GJKKO në Shkurt të vitit 2023, me 6 muaj burg që konvertohet me 40 orë pune për interes publik. 49-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Erion Isai – Kryebashkiaku i Kolonjës është marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimeve për procedura administrative dhe çështje që lidhen me administrimin e fondeve publike.

Rajmonda Balili – Ish-kryetarja e Bashkisë Patos është proceduar për shpërdorim detyre në lidhje me administrimin e pronave dhe procedurat administrative të bashkisë.

Rexhe Byberi – Kryebashkiaku i Tropojës është hetuar nga SPAK pas kallëzimeve për shkelje në procedurat e tenderimit dhe administrimin e fondeve publike.

Juliana Mema – Ka qenë e akuzuar fillimisht në Prokurorinë e Beratit, e cila ka shpallur moskompetencë. Dosja për Memën ka kaluar në SPAK, në vitin 2022. Ajo akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifimkim dokumentash”.

Në harkun e pak viteve të funksionimit të SPAK-ut, hetimet kanë prekur pothuajse të gjitha nivelet e pushtetit, nga ish-zëvendëskryeministra e ministra deri te drejtues institucionesh dhe kryebashkiakë. Megjithatë, statusi juridik i secilit prej tyre mbetet i ndryshëm. Disa janë dënuar me vendime të formës së prerë, disa ndodhen në paraburgim apo nën hetim, ndërsa për një pjesë të emrave të përmendur nuk është ngritur ende asnjë akuzë penale ose janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat.

Klotilda Bushka – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO) dosjen që përfshin kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Ajola Xoxën dhe 16 persona të tjerë, si dhe shoqëri apo organizata jofitimprurëse. Mes të pandehurve është edhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

E Vërteta.al

Arrest shtëpie dhe delegim detyrash/ Karçanaj lë drejtimin e AKSH-it

Dosja që tremb Gjykatën e Lartë?/ Pse gjyqtarët ikin nga Saimir Tahiri?

Hetim pasurisë së Elvis Roshit/ SPAK kërkon kontroll të shpenzimeve dhe investimeve ndër vite

SPAK i sekuestron vilën në Dhërmi/ Zgjerohen hetimet ndaj Belinda Ballukut

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat