Ish-drejtori i Administratës dhe Shitjes së Pronës në Ministrinë e Financave, Urim Muja, ka dhënë këtë të hënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në kuadër të dosjes “Partizani”.
Gjatë paraqitjes së tij para togave të zeza, Muja shpjegoi funksionin që ka pasur në Ministrinë e Financave dhe mënyrën se si trajtoheshin dosjet për shitjen e pronave. Ai deklaroi se ka punuar në këtë institucion gjatë periudhave 1992-1996 dhe 2006-2013, ndërsa sqaroi se drejtoria që ai drejtonte kishte si detyrë lidhjen e kontratave të shitjes pasi dokumentacioni mbërrinte i plotë nga Ministria e Ekonomisë.
Sipas Mujës, praktika e ndjekur për dosjen e ish-kompleksit “Partizani” nuk kishte asnjë veçanti dhe ishte e njëjtë me procedurat e ndjekura për raste të tjera.
“Funksioni im ishte drejtor administrate dhe shitje prone. Sipas ligjit, lidhnim kontratën e shitjes sapo dosja vinte nga Ministria e Ekonomisë. Kjo ishte një dosje normale si gjithë të tjerat dhe jam i sigurt që është bërë konform ligjit”, deklaroi Muja.
Ish-drejtori foli edhe për mungesën e disa dokumenteve në dosje, duke thënë se kjo ishte një situatë e zakonshme në proceset administrative. Sipas tij, kur konstatohej mungesë dokumentacioni, pala njoftohej për ta plotësuar atë dhe procedura vijonte pas dorëzimit të dokumenteve.
“Nuk kishte asgjë të pazakontë në atë dosje. Mungonte një dokument dhe i kemi kërkuar palës ta sillte, siç kemi vepruar në dhjetëra raste të tjera. Dosja kalonte në filtrat e sektorit të shitjes dhe nëse kërkohej një shkresë shtesë, ajo kërkohej”, tha ai.
Muja deklaroi gjithashtu se nuk kishte pasur dijeni për ndonjë trajtim të veçantë të kësaj procedure dhe shtoi se nuk e ka vizituar asnjëherë ish-klubin “Partizani”.
“Unë nuk e kam parë ndonjëherë se ku ndodhet ish-klubi, nuk kam qenë asnjëherë atje”, u shpreh ish-drejtori i Ministrisë së Financave.
Dosja “Partizani” lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv, për të cilin SPAK ka ngritur akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.



