Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka rrëzuar ankimin e paraqitur nga Ilir Metaj kundër vendimit të Prokurorisë për mosfillimin e hetimeve lidhur me kallëzimin e tij ndaj punonjësve të burgut 313.
Sipas vendimit të gjykatës, kërkesa e ish-presidentit është vlerësuar si e pabazuar në prova dhe në ligj, duke lënë në fuqi vendimin e Prokurorisë të datës 21 janar 2026 për mosnisjen e procedimit penal.
Shqyrtimi i çështjes u zhvillua në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve. Gjykata ka bërë me dije se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 10 ditëve nga njoftimi i tij.
Ilir Metaj kishte kundërshtuar vendimin e Prokurorisë, duke pretenduar se punonjës të institucionit të paraburgimit 313 kishin shpërdoruar detyrën dhe i kishin cenuar të drejtat e tij, pasi nuk e kishin lejuar të komunikonte nga ambientet e burgut. Ai kishte ngritur gjithashtu pretendime edhe për mënyrën e trajtimit gjatë qëndrimit të tij në paraburgim.
Në njoftimin zyrtar për median, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë konfirmoi rrëzimin e ankimit si të pambështetur në prova dhe ligj, ndërsa vendosi që shpenzimet proceduriale të mbeten siç janë kryer.



