Maturantët që synojnë të ndjekin studimet e larta në vend do të kenë mundësi të aplikojnë për programet universitare duke nisur nga 27 korriku. Procesi i plotësimit të formularit A2 në portalin U-Albania do të hapet zyrtarisht të hënën dhe do të qëndrojë i hapur për gjashtë ditë.
Përmes formularit online, kandidatët mund të përzgjedhin deri në 10 programe studimi sipas preferencave të tyre. Zgjedhjet mund të përfshijnë degë të ndryshme brenda të njëjtit universitet, si Mjekësi, Stomatologji, Farmaci apo Infermieri në Universitetin e Mjekësisë, por edhe të njëjtin program studimi në universitete të ndryshme.
Maturantët kanë mundësinë të alternojnë zgjedhjet e tyre në bazë të preferencave personale dhe rezultateve akademike. Aplikimi mund të kryhet online nga çdo vend, qoftë nga shtëpia, gjatë pushimeve apo edhe nga jashtë Shqipërisë.
Përfaqësues të Rrjetit Akademik Shqiptar u bëjnë thirrje kandidatëve që të tregohen të kujdesshëm në plotësimin e formularit dhe të analizojnë me vëmendje zgjedhjet e tyre përpara dërgimit përfundimtar. Ata kanë mundësi të bëjnë edhe përllogaritje të përafërta të pikëve për të vlerësuar shanset e pranimit në programet e preferuara.
Pas përfundimit të aplikimeve, Rrjeti Akademik Shqiptar do t’ua përcjellë të dhënat universiteteve, të cilat do të kryejnë llogaritjen e pikëve për rreth 29 mijë kandidatë.
Ky proces pritet të zhvillohet pas datës 20 gusht, pasi të kenë përfunduar edhe konkurset për programet që kërkojnë testime shtesë, si Mjekësia, Arkitektura, Artet dhe Sportet. Në fund të muajit gusht do të shpallen fituesit në universitetet publike dhe private të vendit.



