KreuAktualitetKronikëA u vodhën fondet e tërmetit?/ Çfarë zbuloi skandali me paratë e...

A u vodhën fondet e tërmetit?/ Çfarë zbuloi skandali me paratë e postës në Durrës

Pak përpara shkarkimit nga detyra, ish-drejtoresha e Filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku pretendon se kishte sinjalizuar më herët për probleme në administrimin e fondeve.

Sipas kallëzimit të saj, Mataj kishte informuar më 3 mars 2026 drejtuesin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare për hyrje të personave të paautorizuar në ambientet e arkës dhe për tërheqje shumash monetare nga përgjegjësja e financës, e cila sipas saj nuk kishte kompetencë për kryerjen e këtyre veprimeve.

Pas këtij njoftimi, u ngrit një grup kontrolli për të verifikuar situatën në Filialin e Postës Durrës dhe Degën Shijak. Sipas dokumentacionit të përmendur në kallëzim, kontrolli evidentoi disa problematika, ndër të cilat transportimi i vlerave monetare pa masa të plota sigurie, nxjerrja e parave nga arka jashtë procedurave, veprime bankare të kryera jashtë rregullave dhe mungesa dokumentacioni shoqërues për disa transaksione.

Në relacionin e kontrollit përmendet edhe një rast ku, sipas verifikimeve, ishin dorëzuar fizikisht 600 mijë lekë, ndërsa në dokumentacion ishte pasqyruar shuma prej 500 mijë lekësh. Grupi i kontrollit ka vlerësuar se këto veprime krijonin rrezik për parregullsi financiare dhe dëmtime të mundshme ekonomike.

Në përfundim të kontrollit, sipas kallëzimit, janë rekomanduar masa ndaj disa punonjësve, përfshirë ndryshimin e pozicionit të arkëtares Paola Dana dhe riorganizimin e strukturës së financës.

Mataj pretendon se më 12 dhe 13 mars i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare marrjen e masave disiplinore ndaj personave të përfshirë, por sipas saj, përgjigjja nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore ka qenë se propozimet nuk përputheshin me gjetjet e relacionit të kontrollit.

Sipas ish-drejtoreshës, pavarësisht komunikimeve dhe shkresave të dërguara pranë strukturave qendrore të Postës Shqiptare, nuk u ndërmorën masa konkrete. Ajo pretendon se një prej punonjëseve dha dorëheqjen, ndërsa kërkesat për ndryshime të tjera në staf mbetën pa përgjigje.

Ndërkohë, në një kallëzim të depozituar nga bashkëshorti i saj ngrihen gjithashtu pretendime për administrimin e fondeve të lidhura me procesin e rindërtimit pas tërmetit, duke pretenduar se problematikat financiare kanë një shtrirje më të hershme.

Çështja pritet të verifikohet nga organet hetimore, të cilat do të përcaktojnë nëse ka elementë të veprave penale apo jo.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat