Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk ka ndërmend të tërheqë nismën e “Paketës së Maleve”, pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të zhvilluara nga banorë të disa zonave, të cilët kërkojnë anulimin e saj.
Gjatë një bashkëbisedimi në Theth me aplikues të kësaj pakete, Rama tha se qëllimi i ligjit është zhvillimi ekonomik i zonave malore dhe krijimi i mundësive për investime nga pronarët dhe trashëgimtarët e pronave.
Sipas kryeministrit, kjo nismë nuk lidhet me shitjen e territoreve apo përfitime për persona të caktuar, por me vënien në funksion të ekonomisë lokale.
“Paketa e Maleve nuk është për uzurpatorë, as për biznesmenë që nuk kanë marrëveshje me ju dhe as për oligarkë”, deklaroi Rama, duke shtuar se synimi është mbështetja e trashëgimtarëve të pronave në zonat ku ndarja e tokës nuk është bërë sipas ligjit 7501.
Ai argumentoi se në shumë prej këtyre territoreve banorët kanë ruajtur kufijtë tradicionalë të pronësisë dhe se nisma synon të zgjidhë edhe problemin e zonave ku mungojnë alternativa të tjera ekonomike përveç zhvillimit të turizmit.
“Paketa e Maleve” është kundërshtuar nga disa banorë dhe grupe protestuesish, të cilët pretendojnë se ajo krijon mundësi për tjetërsimin e pronave dhe shitjen e territoreve. Qeveria ka mohuar këto pretendime, duke këmbëngulur se objektivi i saj është zhvillimi i qëndrueshëm i zonave malore.



