KreuDrejtësiaVeliaj nuk i ndahet Ols Dados/ Kërkon hetim disiplinor ndaj prokurorit të...

Veliaj nuk i ndahet Ols Dados/ Kërkon hetim disiplinor ndaj prokurorit të SPAK-ut

Erion Veliaj ka ankimuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesave ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Në ankimin e tij, Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimit të ILD-së dhe nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit.

Sipas pretendimeve të paraqitura në ankim, ILD ka përdorur një standard të gabuar ligjor gjatë shqyrtimit të çështjes. Veliaj argumenton se në këtë fazë duhej të vlerësohej nëse kishte “dyshim të arsyeshëm” për nisjen e hetimit dhe jo të kërkohej që ankuesi të provonte që në fillim përgjegjësinë përfundimtare të prokurorit.

Në qendër, pretendimi për konflikt interesi

Një nga çështjet kryesore të ngritura në ankim lidhet me pretendimin për konflikt interesi të prokurorit Ols Dado.

Sipas ankimit, Dado rezulton i lidhur si bashkëpronar ose përfitues me një zhvillim ndërtimor të miratuar nga Bashkia e Tiranës. Në dokument pretendohet gjithashtu se ai ka pranuar komunikimin me kryetarin e Bashkisë gjatë periudhës përkatëse dhe më pas është bërë pjesë e grupit që ka hetuar Veliajn.

Veliaj pretendon se ILD nuk ka analizuar konfliktin e interesit “në dukje dhe të mundshëm”, si dhe detyrimin e prokurorit për deklarimin e interesit dhe heqjen dorë nga çështja.

Ankimi ngre edhe pikëpyetje mbi ligjshmërinë e emërimit fillestar të Ols Dados si prokuror.

Sipas Veliajt, ILD nuk ka administruar disa prej provave që, sipas tij, mund të siguroheshin drejtpërdrejt nga institucioni. Në ankim përmenden dosja e plotë e lejes së ndërtimit, aktet e pronësisë, deklarimet e interesave, komunikimet, si dhe dokumentacioni lidhur me emërimin dhe statusin e magjistratit.

Pretendime edhe për Artur Metanin

Një tjetër pikë e ankimit lidhet me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

Veliaj pretendon se ekziston konflikt interesi edhe në këtë rast. Sipas ankimit, në vitin 2008, kur ishte anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe përfaqësues i Presidentit, Metani ka marrë pjesë në procedurën institucionale që lidhej me emërimin e Ols Dados.

Në këtë mënyrë, sipas argumentimit të Veliajt, Metani ndodhet sot në pozicionin për të shqyrtuar ligjshmërinë e një procedure në të cilën kishte marrë pjesë më herët.

Ankimi tashmë i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pritet të vlerësojë pretendimet e ngritura dhe vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Veliaj e konsideron këtë një tjetër provë për mënyrën se si institucionet e sistemit të prokurorisë do të trajtojnë pretendimet për konflikt interesi dhe përgjegjësi disiplinore të magjistratëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat