Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë shënuar një tjetër rekord gjatë muajit korrik 2026.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë këtij muaji të punësuarit dhe të vetëpunësuarit kanë derdhur rreth 17.9 miliardë lekë, ose afërsisht 179 milionë euro, në arkën e shtetit.
Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, arkëtimet janë rritur me rreth 2.1 miliardë lekë, ose rreth 21 milionë euro. Në përqindje, rritja rezulton 13.1%.
Kjo është shifra më e lartë e regjistruar në dekadën e fundit për një muaj korrik.
111.8 miliardë lekë në shtatë muaj
Rritja është e dukshme edhe në bilancin e shtatë muajve të parë të vitit.
Për periudhën janar-korrik 2026, të ardhurat nga kontributet e paguara nga punonjësit e sektorit privat dhe publik, si dhe nga të vetëpunësuarit në bujqësi, kanë arritur në 111.8 miliardë lekë, ose rreth 1.2 miliardë euro.
Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, arkëtimet nga ky zë ishin rreth 100 miliardë lekë.
Rritja e pagave dhe lufta ndaj informalitetit
Në rritjen e të ardhurave nga kontributet kanë ndikuar disa faktorë. Një prej tyre është rritja e pagave, fillimisht në sektorin publik dhe më pas edhe në atë privat.
Rritja e pagës mesatare ka sjellë automatikisht edhe rritje të shumave që punonjësit dhe punëdhënësit paguajnë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Një tjetër faktor është reforma kundër informalitetit, veçanërisht kontrollet ndaj nëndeklarimit të pagave. Rritja e pagave të deklaruara ka sjellë edhe më shumë të ardhura në skemën e sigurimeve.
Ndikim kanë pasur gjithashtu pagat referuese të vendosura gjatë këtij viti për sektorë të caktuar, përfshirë turizmin, ndërtimin dhe mjekësinë.
Në të njëjtën linjë është edhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë nga janari i këtij viti, e cila ka ndikuar në rritjen e bazës mbi të cilën llogariten kontributet.
Më shumë biznese, më shumë kontribuues
Një tjetër element që ka ndikuar në këtë performancë është rritja e numrit të bizneseve të reja të hapura gjatë vitit 2026.
Sipas të dhënave, mirëadministrimi i detyrimeve nga administrata tatimore ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e arkëtimeve.
Megjithatë, krahas rritjes së të ardhurave, ekonomia shqiptare vijon të përballet me mungesën e fuqisë punëtore, një faktor që mund të ndikojë në mënyrën se si do të performojë skema e sigurimeve në vitet e ardhshme.
Aktualisht, pagesa minimale mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një individ është rreth 13,950 lekë.



