Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar interpretimin e qeverisë për rritjen me 10.6% të eksporteve gjatë muajit korrik, duke argumentuar se shifrat nuk tregojnë një forcim të ekonomisë prodhuese.
Sipas Tabakut, rritja e eksporteve është përqendruar kryesisht në disa kategori të caktuara. Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë dhënë një kontribut prej 8.9 pikë përqindjeje, ndërsa mineralet, karburantet dhe energjia kanë kontribuar me 5.3 pikë.
Në të kundërt, fasoneria ka dhënë një kontribut negativ prej 4.3 pikë përqindjeje.
“Propaganda mbaron aty ku fillon leximi i plotë i shifrave. Nuk është forcuar ekonomia prodhuese. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve”, deklaron Tabaku.
Tabaku: Eksportojmë më pak mallra
Deputetja e opozitës sjell edhe një krahasim afatgjatë për të argumentuar qëndrimin e saj.
Sipas saj, gjatë periudhës 2014-2025, vlera e eksporteve në lekë është rritur me rreth 36%, ndërsa sasia fizike e mallrave të eksportuara ka rënë me rreth 14%.
“Në letër, eksportet e Shqipërisë vlejnë më shumë; në realitet, vendi eksporton më pak mallra”, shprehet Tabaku.
Ajo e lidh këtë situatë edhe me zhvlerësimin e euros, që sipas saj ka krijuar vështirësi veçanërisht për sektorin fason.
Kompanitë që arkëtojnë të ardhurat në euro, argumenton Tabaku, marrin më pak lekë për të përballuar pagat dhe kostot e prodhimit, duke e bërë më të vështirë aktivitetin e tyre.
“Ekonominë po e mbajnë shpenzimet e shtetit”
Tabaku ngre pikëpyetje edhe për strukturën e rritjes ekonomike.
Sipas të dhënave që ajo citon, gjatë vitit 2025 industria ka shënuar rënie me 3.72%, ndërsa bujqësia me 2.5%.
Në të njëjtën kohë, administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto kanë siguruar rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3.66%.
Për deputeten demokrate, këto të dhëna tregojnë se rritja ekonomike nuk po mbështetet sa duhet te sektorët prodhues.
“Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi”, përfundon Tabaku.



