Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas videos së publikuar nga Arjan Konomi, i cili mbrëmjen e kaluar ka dhënë një tjetër version për një incident të ndodhur në rrugë.
Rama pretendon se një video tjetër e ngjarjes tregon një situatë ndryshe nga ajo e paraqitur nga Konomi në rrjetet sociale.
“Ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht”, shkruan Rama.
Kryeministri e akuzon Konomin se, përmes versionit të publikuar prej tij, ka paraqitur veten si viktimë, ndërsa ngjarjen e cilëson si një rast bullizmi ndaj një gruaje dhe fëmijës së saj.
Sipas Ramës, pamjet e tjera tregojnë se ngjarja ka ndodhur ndryshe nga rrëfimi i bërë publik në videon e parë.
“Ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe”, shprehet Rama.
Kryeministri e ka shoqëruar reagimin me kritika të forta ndaj mënyrës se si informacioni përhapet në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje se sa herë një version i njëanshëm mund të marrë formën e së vërtetës në mungesë të pamjeve të plota.
“Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, përfundon Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pas publikimit të versionit të dytë të videos së Arjan Konomit, duke e kthyer përplasjen në një debat edhe për mënyrën se si ngjarjet e filmuara dhe të publikuara në rrjetet sociale interpretohen dhe përhapen te publiku.



