Aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë të shënojnë rritje, ndërsa të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se situata është përkeqësuar edhe gjatë muajit korrik.
Vetëm gjatë korrikut 2026 janë regjistruar 165 aksidente rrugore, me 235 persona të vrarë dhe të plagosur. Ndërkohë, në shtatë muajt e parë të vitit janë regjistruar 844 aksidente, 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin shënuar 767 raste.
Shifrat e INSTAT tregojnë se faktori njerëzor mbetet problemi kryesor në rrugët e vendit. Rreth 90.3% e aksidenteve të regjistruara gjatë korrikut kanë ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Shpejtësia, mosrespektimi i sinjalistikës dhe manovrat e gabuara në timon janë ndër shkaqet kryesore që lidhen me aksidentet.
Të rinjtë, grupmosha më e ekspozuar
Sipas statistikave, drejtuesit e mjeteve të grupmoshës 25–34 vjeç janë më të ekspozuarit ndaj aksidenteve. Kjo grupmoshë përbën 21.8% të totalit të rasteve të regjistruara gjatë periudhës.
Një tjetër element që bie në sy është orari kur ndodhin aksidentet. Pjesa më e madhe e tyre, 25.5%, regjistrohet gjatë intervalit 19:00–24:00.
Sa i përket ditëve të javës, e enjtja rezulton si dita me numrin më të lartë të aksidenteve, me 18.8% të totalit, ndërsa e marta ka përqindjen më të ulët, me 12.1%.
Tirana në krye të listës
Tirana vijon të jetë qarku me numrin më të lartë të aksidenteve. Gjatë korrikut të këtij viti në kryeqytet janë regjistruar 59 aksidente, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2025 ishin shënuar 37.
Nga këto aksidente, 74 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur.
Rritje të ndjeshme ka edhe në Fier, ku numri i aksidenteve është rritur nga 8 raste në korrik 2025 në 20 raste në korrik të këtij viti.
Në Durrës janë regjistruar 15 aksidente gjatë muajit korrik.
Në total, gjatë periudhës janar–korrik 2026, aksidentet rrugore kanë shkaktuar 1,187 persona të vrarë dhe të plagosur.
Të dhënat e reja rikthejnë në vëmendje problemin e sigurisë rrugore në vend, veçanërisht në muajt e verës kur lëvizjet në rrugë shtohen ndjeshëm. Rritja e numrit të aksidenteve dhe fakti që në pjesën dërrmuese të rasteve shkak mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve, e bëjnë edhe më të rëndësishme respektimin e rregullave të qarkullimit dhe forcimin e masave parandaluese.



