Ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka nisur zbatimin e rregullores së re, e cila kufizon praninë dhe aktivitetin e mediave në ambientet e saj, Apeli i GJKKO-së ka zgjedhur të ruajë rregullat ekzistuese të transparencës.
Edhe pse të dyja gjykatat ndodhen në të njëjtën godinë, situata në Apel është ndryshe. Këtë të mërkurë, gazetarët janë lejuar të hyjnë në ambientet e Apelit të GJKKO-së me telefonat celularë. Pajisjet do të lejohen të përdoren edhe gjatë seancave gjyqësore.
Qëndrimin e ka bërë të qartë gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani, e cila u ka garantuar gazetarëve se rregullat e transparencës në këtë gjykatë nuk do të ndryshojnë dhe se rregullorja e re e hartuar nga GJKKO-ja nuk do të zbatohet nga Apeli.
“Rregullat e transparencës tek ne nuk ndryshojnë. Nëse ju pengojnë të qëndroni në hollin tonë, më vini në dijeni”, u tha Saida Dollani gazetarëve.
Shoqatat e gazetarëve e kanë kundërshtuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së, e cila sjell kufizime për mediat, përfshirë ndalimin e përdorimit të telefonave dhe regjistruesve brenda sallës së gjyqit, si dhe kufizime për kamerat.
Rregullorja e re është vendosur gjithashtu nën vëmendjen e OSBE-së, e cila ka deklaruar se po e ndjek çështjen nga afër.



