KreuAktualitetPolitikaKuvendi nis sesionin e ri pa agjendë prioritare/ Mungon transparenca për integrimin...

Kuvendi nis sesionin e ri pa agjendë prioritare/ Mungon transparenca për integrimin në BE

Kuvendi ka nisur sesionin e ri parlamentar, por ende nuk është bërë publike një agjendë prioritare që të përcaktojë nismat, detyrimet dhe pritshmëritë për periudhën e re, përfshirë ato që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas praktikave të ndjekura në vende të tjera kandidate për në BE, parlamentet publikojnë përpara nisjes së çdo sesioni një agjendë të qartë të detyrimeve dhe pritshmërive. Në të përfshihen nismat e mbërritura në parlament, çështjet që duhet të trajtohen, institucionet përgjegjëse, afatet, si dhe vlerësimet që lidhen me konsultimin publik.

Një praktikë e tillë, sipas kritikave, nuk është aplikuar ende në Shqipëri. Edhe grupet kryesore parlamentare, të cilat pritet të bëjnë publike prioritetet e tyre për sesionin e ri, deri tani nuk kanë njoftuar mbledhje apo agjenda konkrete.

Parlamenti duhet të jetë një nga institucionet kryesore të demokracisë, ku zhvillohet debati politik, trajtohen problemet e qytetarëve dhe ndërtohen konsensuset për reformat. Por vlerësime dhe raporte të ndryshme kanë ngritur kritika për mënyrën se si funksionon Kuvendi në Shqipëri, duke evidentuar varësinë e tij nga agjenda e ekzekutivit, mungesën e një qasjeje strategjike dhe vështirësitë në përmbushjen në kohë dhe me cilësi të funksioneve të tij kushtetuese.

Në fokus janë edhe dy prej reformave të konsideruara prioritare, ajo territoriale dhe ajo zgjedhore. Sipas kritikave, të dyja kanë konsumuar afatet e përcaktuara pa prodhuar rezultate konkrete dhe pa përmbushur misionin për të cilin ishin ngritur.

Zgjatja e mandatit për njërin prej komisioneve dhe futja në procedurë e draftit të një grupi deputetësh për komisionin tjetër ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e këtyre strukturave dhe besimin e publikut te puna e komisioneve të posaçme.

Komisionet parlamentare, të financuara nga taksat e qytetarëve, pritet të japin llogari për punën e tyre dhe të jenë transparente për mënyrën se si kanë përmbushur misionin, nëse kanë justifikuar mandatin e marrë dhe çfarë produkti konkret kanë prodhuar.

Një tjetër çështje lidhet me raportimin vjetor të komisioneve. Sipas Rregullores së Kuvendit, çdo komision, i përhershëm apo i posaçëm, duhet të hartojë një raport vjetor mbi aktivitetin e tij dhe ta bëjë atë publik.

Megjithatë, sipas kritikave, që prej miratimit të këtij standardi nuk është krijuar ende një praktikë e konsoliduar ku komisionet të hartojnë dhe publikojnë raporte të plota, të fokusuara te transparenca, llogaridhënia, rezultatet e arritura dhe rekomandimet për përmirësimin e punës në të ardhmen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat