Një ditë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për gjobat dhe kontrollet, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si administrata shtetërore ushtron kontrollet ndaj bizneseve.
Sipas Tabakut, gjobat nuk po shërbejnë për të luftuar informalitetin apo për të përmirësuar klimën e biznesit, por janë kthyer në një mjet presioni ndaj sipërmarrjes, veçanërisht ndaj bizneseve që respektojnë ligjin.
Deputetja solli në vëmendje edhe disa shifra, të cilat sipas saj tregojnë përmasat e fenomenit. Vetëm gjatë viteve 2022 dhe 2023, administrata tatimore ka vendosur rreth 4.6 miliardë lekë penalitete.
“Biznesi nuk vuan vetëm barrën e taksave të padrejta, por edhe zyrtarët e shtetit që trokasin në derën e biznesit korrekt me ligjin, ndërkohë që ndaj evazorëve mbyllin njërin sy dhe i falin”, deklaroi Tabaku.
Ajo tha se ankesat e qytetarëve dhe sipërmarrësve ndaj administratës janë shtuar dhe akuzoi institucionet se gjobat po përdoren si një formë presioni për të mbledhur atë që e cilësoi si “taksa e korrupsionit”.
Tabaku iu referua edhe nivelit të informalitetit në ekonomi, duke thënë se ai përbën rreth 40 për qind të ekonomisë së vendit dhe mbetet ndër më të lartët në rajon. Sipas saj, pavarësisht kësaj, presioni i institucioneve përqendrohet kryesisht te bizneset që operojnë në mënyrë të rregullt.
Duke iu referuar të dhënave për vitin 2024, Tabaku deklaroi se në Shqipëri janë vendosur rreth 28 milionë euro penalitete, ndërsa në Serbi rreth 4.6 milionë euro dhe në Malin e Zi 1.4 milionë euro.
“Ky është një krahasim i thjeshtë për të treguar se si gjoba po kthehet në mjet presioni”, u shpreh deputetja demokrate.
Tabaku solli si shembull edhe aktivitetin e IKMT-së. Sipas saj, gjatë vitit 2024 institucioni ka vendosur 447 gjoba, me një vlerë totale prej rreth 1.2 miliardë lekësh, ndërsa ka arkëtuar vetëm rreth 2 për qind të kësaj shume.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhet me mungesën e transparencës për numrin e gjobave të vendosura, shumën e arkëtuar, penalitetet e rrëzuara pas ankimimeve apo vendimeve gjyqësore, si dhe rastet kur gjobat janë falur.
Sipas Tabakut, Regjistri i Unifikuar i Gjobave u krijua vetëm në vitin 2026, pas më shumë se një dekade me mungesë rakordimi dhe informacioni të plotë.
Deputetja e PD-së kritikoi mënyrën e funksionimit të administratës tatimore, duke thënë se inspektorët po veprojnë “si kaubojsa” ndaj sipërmarrjes dhe se sistemi po e përdor gjobën si mjet për kontrollin e ekonomisë.
“Është një sistem socialist që kërkon të komandojë gjithçka nëpërmjet një autokracie gjobash dhe taksës së korrupsionit. Ky sistem duhet rrëzuar, sepse sa më shumë zgjat, aq më shumë shtohen gjobat, penalitetet dhe presioni ndaj biznesit”, përfundoi Tabaku.



