KreuOpinion dhe Analizë“BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania”, “Radar”/ Po institucionet, kush i zgjidh hallet?

“BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania”, “Radar”/ Po institucionet, kush i zgjidh hallet?

Nga Ermelinda Meksi
Sot, me të drejtë, qytetarët shqetësohen për sigurinë në hotele, në rrugë dhe në hapësirat publike. Por sa të sigurt ndihemi në pallatet ku jetojmë?
Mjafton të shohim ashensorët. Një pjesë e tyre janë të pakolauduar. Banorët paguajnë për mirëmbajtje, por kush kontrollon nëse shërbimi kryhet nga persona të licencuar, çfarë mirëmbajtjeje bëhet realisht dhe kush mban përgjegjësi për zbatimin e ligjit për administrimin e banesave?
Kur banorët, për arsye të ndryshme, nuk kanë zgjedhur administrator, a duhet bashkia të ndërhyjë për të garantuar administrimin dhe sigurinë e përbashkët?
Po pusetat e ujërave të zeza që nuk pastrohen prej vitesh dhe mjafton një shi për të përmbytur e kundërmuar gjithë zonën? Në një rast para disa ditësh, përgjegjësi i zonës këshilloi: “Mos hidhni letra në WC”. Ndërsa një banor, me humor, kujtoi se dikur hidhnim edhe gazeta, por pusetat pastroheshin rregullisht dhe nuk përmbyteshim. Humori fsheh një problem serioz: kush është përgjegjës për mirëmbajtjen dhe parandalimin e një situate që përsëritet prej vitesh?
Çfarë ndodh kur papritur ngrihet një kullë përballë pallatit, duke ndryshuar mjedisin ku jetojmë dhe duke rënduar mbi një infrastrukturë që nuk është projektuar për një dendësi të tillë?
Kur blemë apartamentet tona, kemi vlerësuar edhe distancën, hapësirën, dritën dhe qetësinë. Kush mban përgjegjësi kur këto ndryshojnë pa u marrë seriozisht në konsideratë kapaciteti i infrastrukturës dhe interesi i banorëve?
Prandaj pyetja që shtrohet është: si do t’i adresojnë këto probleme “BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Radar”? A do të shërbejnë për të forcuar institucionet dhe llogaridhënien, apo do të mbeten togfjalë të rinj politikë, të përsëritur në kor nga deputetët, ndërsa qytetari vazhdon të kërkojë ndërhyrje individuale për të drejtën që i takon e duhet t’ja garantoj shteti?
Kur disa prej tyre hapin edhe zyra posaçerisht, skepticizmi bëhet edhe më i kuptueshëm.
Qytetari nuk është një “rast” që politikani duhet ta ndjekë,por qytetar me të drejta, ndërsa institucioni ka detyrimin t’ia garantojë ato në përputhje me ligjin dhe interesin publik.
Prania e politikanit e bën të dëgjohet halli;por vetëm institucioni është në gjendje ta zgjidhë atë.
Më shumë se “Prani Besnike”, na duhet përgjegjësi institucionale.
spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat