KreuAktualitetPolitika“Shkrirja do të jetë dënim”/ Fushë-Arrëzi kundër bashkimit me Pukën

“Shkrirja do të jetë dënim”/ Fushë-Arrëzi kundër bashkimit me Pukën

Në Fushë-Arrëz kanë nisur konsultimet publike me banorët për propozimin e mazhorancës socialiste për shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe bashkimin e saj me Pukën. Por që prej publikimit të draft-propozimit, reagimi i banorëve ka qenë i qartë: ata janë kundër.

Frika kryesore e qytetarëve është se bashkimi me Pukën do ta bëjë edhe më të vështirë marrjen e shërbimeve administrative, veçanërisht për banorët e fshatrave të largëta.

Në takimin e konsultimit mori pjesë edhe Frat Andreas Walterman, i cili prej afro 20 vitesh shërben në Fushë-Arrëz. Frati françeskan u shpreh se shumë prej fshatrave të zonës janë braktisur ndër vite, si pasojë e mungesës së vëmendjes dhe investimeve, ndërsa shkrirja e bashkisë, sipas tij, rrezikon ta përkeqësojë edhe më tej situatën.

Për banorët, largimi i shërbimeve administrative nga Fushë-Arrëzi dhe përqendrimi i tyre në Pukë do të ishte një barrë e shtuar. Sidomos për ata që jetojnë në njësitë më të largëta, çdo shërbim do të nënkuptonte udhëtime të gjata dhe kosto shtesë.

Gjatë diskutimeve, qytetarët e cilësuan shkrirjen e bashkisë si një “dënim” për zonën. Ata thanë se në këtë çështje nuk duhet të ketë ndasi politike dhe se kundërshtimi ndaj propozimit duhet të jetë i përbashkët.

Pak javë më parë, kryetarët e Njësive Administrative, së bashku me kryepleqtë e fshatrave të Fushë-Arrëzit, zhvilluan një kuvend të përbashkët ku shprehën kundërshtimin ndaj propozimit të depozituar në Parlament. Në ditët e fundit janë zhvilluar edhe protesta në qytet.

Fushë-Arrëzi drejtohet aktualisht nga një kryetar i djathtë, ndërsa kundërshtimi ndaj shkrirjes së bashkisë duket se ka bashkuar banorët përtej përkatësive politike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat