Ngjarja e konfliktit mes dy biznesmenëve në Vlorë vijon të jetë nën hetim, ndërsa Policia e Shtetit dhe Prokuroria po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të saj.
Nga Kukësi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se reagimi i forcave të policisë ka qenë i menjëhershëm pas marrjes së njoftimit për ngjarjen.
Sipas Hitës, disa prej personave të përfshirë u kapën në flagrancë dhe u arrestuan, ndërsa hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe vazhdojnë edhe aktualisht në bashkëpunim me Prokurorinë.
“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore”, deklaroi Hita.
Ai shtoi se policia po verifikon pretendimet e të gjitha palëve dhe se hetimet do të përcaktojnë përgjegjësitë e personave të përfshirë në konflikt.
Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, e vlerësoi reagimin e policisë si të shpejtë, duke theksuar se disa persona janë arrestuar, ndërsa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
“Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë”, u shpreh Lamallari.
Ministri tha se Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë në përputhje me udhëzimet e prokurorit të çështjes, me synim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave që kanë përgjegjësi.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi dinamikën e konfliktit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë e secilës palë.



