Reforma e re administrativo-territoriale e propozuar nga Partia Socialiste ka nxitur një valë kundërshtimesh në të gjithë vendin. Në qendër të debatit janë 15 bashki që, sipas draftit të dorëzuar në Kuvend, do të humbasin statusin e tyre dhe do t’i bashkohen bashkive fqinje.
Fushë-Arrëzi do të bashkohet me Pukën, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, Dimali dhe Poliçani me Beratin, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, ndërsa Përrenjasi me Librazhdin.
Por në terren, propozimi i mazhorancës është pritur me protesta, peticione dhe kundërshtime nga qytetarët dhe drejtuesit vendorë. Raportimet e javëve të fundit tregojnë se reagimi është shtrirë në të gjithë hartën e bashkive që parashikohet të shkrihen.
Në Fushë-Arrëz, banorët kanë protestuar kundër bashkimit me Pukën, ndërsa kryebashkiaku Hilë Curri ka deklaruar se bashkia do të mbrohet me çdo kusht. Banorët kundërshtojnë veçanërisht largimin e shërbimeve dhe detyrimin për të udhëtuar drejt Pukës.
Në Klos, reagimi ka qenë i fortë që në ditët e para. Punonjës të administratës bashkiake bojkotuan punën në shenjë proteste, ndërsa më pas qindra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar bashkimin me Matin.
Edhe Rrogozhina është përfshirë në protesta, me banorët që kundërshtojnë bashkimin me Kavajën dhe kërkojnë ruajtjen e bashkisë së tyre.
Në Dimal, qytetarët kanë protestuar disa herë kundër bashkimit me Beratin. Kundërshtimi ka kaluar edhe në Këshillin Bashkiak, ku 18 nga 21 këshilltarët e pranishëm votuan kundër propozimit të mazhorancës.
Në Poliçan, protesta mori një tjetër përmasë. Dhjetëra qytetarë dolën kundër bashkimit me Beratin, ndërsa në shenjë revolte disa prej tyre dogjën teserat e Partisë Socialiste. Gjatë protestës, kreu lokal i PS-së njoftoi edhe dorëheqjen e tij.
Divjaka është një nga zonat ku kundërshtimi ka vijuar për ditë me radhë. Banorët kanë protestuar mbrëmje pas mbrëmjeje kundër bashkimit me Lushnjën dhe kanë nisur edhe një peticion. Në protestat e tyre, qytetarët kanë argumentuar se shkrirja do të dëmtonte identitetin dhe do t’i largonte shërbimet nga komuniteti.
Në Selenicë, kundërshtimi është shprehur si nga qytetarët, ashtu edhe nga Këshilli Bashkiak. 19 këshilltarë, të majtë dhe të djathtë, votuan kundër bashkimit me Vlorën, ndërsa kryebashkiaku socialist Nertil Bellaj deklaroi se Selenica duhet të vijojë të funksionojë si njësi më vete.
Në Maliq, banorët kanë protestuar kundër bashkimit me Korçën, ndërsa në Memaliaj dhe Përrenjas janë zhvilluar gjithashtu protesta kundër propozimit të hartës së re.
Edhe Patosi është pozicionuar kundër bashkimit me Fierin. Kundërshtimi është artikuluar edhe nga Këshilli Bashkiak, ku është kërkuar që para çdo vendimmarrjeje të merret në konsideratë vullneti i qytetarëve dhe të zhvillohet një konsultim i plotë me komunitetin.
Në Belsh, qytetarët kanë dalë në protestë kundër bashkimit me Elbasanin dhe kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion. Megjithatë, në fazën e konsultimeve publike, pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët, duke bërë që disa prej dëgjesave të shtyhen.
Cërriku ka pasur protesta dhe firmosje peticionesh kundër bashkimit me Elbasanin. Në Këshillin Bashkiak ka pasur gjithashtu kundërshtime, ndërsa kryebashkiaku ka deklaruar se qëndrimin e tij përfundimtar do ta japë pas dëgjesave me qytetarët.
Në Libohovë, Këlcyrë dhe në bashkitë e tjera të prekura, kundërshtimi është shprehur përmes vendimeve të këshillave, protestave dhe qëndrimeve publike. Në Libohovë, Këshilli Bashkiak është shprehur unanimisht kundër shkrirjes dhe bashkimit me Gjirokastrën, ndërsa edhe Këlcyrë e Klos janë pozicionuar kundër propozimit.
Kështu, përtej dallimeve politike, një pikë i bashkon të gjitha këto zona. Kërkesa për të mos humbur statusin e bashkisë dhe shqetësimi se bashkimi me qendrat më të mëdha do të sjellë largimin e shërbimeve nga qytetarët.
Nga ana tjetër, mazhoranca e argumenton reformën me nevojën për të konsoliduar njësitë vendore, për të rritur kapacitetet administrative dhe financiare dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve.
Drafti i PS-së parashikon që numri i bashkive në Shqipëri të ulet nga 61 në 46, duke shkrirë 15 bashki dhe duke i bashkuar ato me njësi më të mëdha brenda qarqeve.
Por ndërsa projektligji ndodhet në fazën e konsultimeve, nga veriu në jug po shtohen zërat kundër. Protestat, peticionet dhe vendimet e këshillave bashkiakë tregojnë se beteja për hartën e re territoriale nuk do të jetë vetëm një debat parlamentar, por edhe një përplasje me komunitetet që rrezikojnë të humbin statusin e tyre administrativ.



