Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar për konfliktin e ndodhur një ditë më parë në Vlorë, ku u përfshinë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, bashkë me persona të tjerë. Në ngjarje dyshohet se kanë qenë të pranishëm edhe dy efektivë të Policisë Ushtarake.
Përmes një reagimi publik, Nufi ka bërë të ditur se dy efektivët janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e verifikimeve nga autoritetet.
Ministri ka sqaruar gjithashtu se efektivët nuk kanë qenë truproja personale të tij, pavarësisht se në periudha të ndryshme kanë kryer detyra që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe shoqërimin institucional të Ministrit të Mbrojtjes.
Sipas Nufit, të dy efektivët janë pjesë e Policisë Ushtarake që prej vitit 2006, ndërsa detyrat e kryera prej tyre ndër vite nuk nënkuptojnë se kanë qenë punonjës personalë të ministrit.
Një tjetër detaj që ministri thekson është se asnjëri prej tyre nuk ka qenë në shërbim ditën kur ndodhi konflikti në Vlorë.
“Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale”, shprehet Nufi.
Ministri i Mbrojtjes tha se institucioni që ai drejton distancohet nga çdo veprim i paligjshëm dhe se do të respektojë hetimin e autoriteteve ligjzbatuese.
Nufi theksoi se përgjegjësia e secilit person dhe rrethanat e konfliktit do të përcaktohen nga organet kompetente, ndërsa deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët do të qëndrojnë të pezulluar nga shërbimi.



