Pagat e magjistratëve kanë sjellë përplasje mes institucioneve, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas vendimit të KLGJ-së dhe KLP-së për përcaktimin e pagës referuese.
Gogu ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm dhe duhet zbatuar nga të gjitha institucionet. Megjithatë, sipas tij, aktualisht ekziston një boshllëk ligjor që e bën të pamundur zbatimin e plotë të vendimit.
Ministri tha se problemi lidhet me formulën e pagës së magjistratëve, e cila është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa mungon ende baza e re ligjore mbi të cilën duhet të përcaktohet paga.
“Paraja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar”, u shpreh Gogu.
Ai theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të negociohen apo të relativizohen dhe se zbatimi i tyre është detyrim për çdo institucion.
Sipas ministrit, pikërisht mungesa e bazës ligjore për formulën e pagës ka krijuar situatën aktuale.
“Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi”, deklaroi ai.
Gogu bëri të ditur se kjo çështje pritet të zgjidhet në Kuvend gjatë sesionit të ri parlamentar. Ai tha se synimi është që boshllëku ligjor të plotësohet sa më shpejt, duke respektuar njëkohësisht vendimin e Kushtetueses dhe rregullat për përdorimin e buxhetit të shtetit.
Ministri u shpreh gjithashtu kundër përplasjes mes institucioneve, duke argumentuar se zgjidhja duhet të vijë përmes Kuvendit.
“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, por zgjidhja është në Kuvend”, tha Gogu.
Debati për pagat e magjistratëve u përshkallëzua pasi, sipas qëndrimit të institucioneve të drejtësisë, nuk u realizua brenda afatit të përcaktuar zbatimi i formulës së re të pagave. Pas përfundimit të afatit, KLGJ dhe KLP deklaruan se do të ndërmerrnin hapat e nevojshëm për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke përcaktuar edhe pagën referuese.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë këmbëngul se për zbatimin financiar të vendimit nevojitet fillimisht një bazë e qartë ligjore, e cila sipas Gogut do të miratohet nga Kuvendi në ditët në vijim.



