Evi Kokalari ka reaguar me tone të forta ndaj Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, duke kundërshtuar pretendimet se vendimi amerikan i vitit 2021 ndaj kreut të Partisë Demokratike është hequr.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Kokalari argumenton se ajo që ka ndodhur është një përjashtim nga kufizimet e vendosura sipas nenit 7031(c), dhe jo tërheqje e vendimit fillestar.
Ajo i drejtohet drejtpërdrejt mbështetësve të Berishës, duke i akuzuar se po ngatërrojnë faktet me propagandën.
“Është e vështirë të arsyetosh me një grup injorantësh që, me dashje apo pa dashje, nuk ndajnë dot shapin nga sheqeri”, shkruan Kokalari.
Sipas saj, fakti që Berisha ka mundur të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara nuk do të thotë automatikisht se është shfuqizuar përcaktimi i vitit 2021.
Në vitin 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën të papranueshëm për hyrje në SHBA, duke e lidhur vendimin me përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm dhe duke e vendosur masën në kuadër të Seksionit 7031(c).
Në qershor të këtij viti, DASH konfirmoi se kishte dhënë përjashtime për disa persona të prekur nga përcaktimet sipas 7031(c), duke deklaruar se këto përjashtime i shërbenin një interesi të rëndësishëm kombëtar të SHBA-së. Departamenti nuk dha publikisht detaje se cili ishte interesi specifik në rastin e Berishës.
“Departamenti i Shtetit iu referua shprehimisht arsyetimit të parë, jo të dytit”, shkruan ajo, duke iu referuar mundësisë së një përjashtimi për shkak të interesit kombëtar dhe jo ndryshimit të rrethanave që kishin sjellë vendimin fillestar.
Sipas saj, në bazë të informacionit publik, DASH nuk e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e vitit 2021 dhe as nuk ka deklaruar se konstatimet e atëhershme ishin të rreme.
“Berisha ndoshta po takohet me agjencitë amerikane”
Kokalari shkon më tej dhe ngre edhe hipoteza për arsyen e këtij përjashtimi. Ajo shkruan se Berisha mund të jetë duke zhvilluar takime me agjenci amerikane dhe hedh pretendimin se ai mund të ketë dhënë informacione që mund t’u shërbejnë Shteteve të Bashkuara në përplasjen me George Soros apo aktorë të tjerë.
Më pas, ajo e lidh zhvillimin me një sërë figurash amerikane që kanë pasur kontakte me politikën shqiptare. Në qendër të sulmit të saj janë Richard Grenell dhe Chris LaCivita, ndërsa përmend edhe Fatmir Mediun, Marco Rubion dhe Susie Wiles.
Kokalari pretendon se përmes kontakteve politike dhe lobimeve është krijuar një rrjet që, sipas saj, ka synuar t’i krijojë Berishës mundësi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe për ta paraqitur këtë si mbështetje politike nga republikanët.
Ajo shkon deri aty sa pretendon se për këtë qëllim janë paguar miliona dollarë. “Mbështetjen e republikanëve nuk e ka”, shkruan Kokalari, duke pretenduar se Berisha ka pasur kontakte me persona pranë Rubios dhe LaCivitës.
Sulmi ndaj Grenellit dhe LaCivitës
Kokalari rikthen në vëmendje edhe konfliktet e saj të mëparshme me Grenellin dhe LaCivitën. Ajo pretendon se marrëdhënia e saj me Grenellin u prish pasi u distancua nga grupi që, sipas saj, po punonte për afrimin me të.
“Siç luftova Grenellin, do të luftoj të gjithë ata që ju dhanë mundësinë qoftë edhe vetëm për një vizitë”, shkruan ajo.
Për LaCivitën, Kokalari thotë se konflikti ka nisur pasi, sipas saj, ai vazhdoi të punonte me njerëz që ajo i konsideronte problematikë.
Në fund të reagimit, Kokalari e përmbledh qëndrimin e saj me një deklaratë të prerë:
“SALI BERISHA ËSHTË AKOMA NON GRATA.”
Ajo thotë se përpjekjet për të ndryshuar perceptimin mbi statusin e Berishës në SHBA do të vazhdojnë të jenë objekt i hetimeve që ajo pretendon se mund të kryhen nga agjencitë amerikane.
Reagimi vjen në një moment kur vizita e Berishës në Shtetet e Bashkuara ka rikthyer në qendër të debatit politik shqiptar çështjen e statusit të tij ndaj SHBA-së.



