I dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump për Ballkanin dhe Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ku është ndalur edhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Zampolli ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit bektashi, drejtues të politikës shqiptare, ndërsa në axhendën e tij kanë qenë edhe takime me përfaqësues të qeverisë.
Në fokus të vizitës ishte bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, si dhe projekti i propozuar për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë.
I pyetur për këtë projekt, Zampolli tha se e ka dëgjuar propozimin si nga Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.
Megjithatë, ai theksoi se vendimi përfundimtar i takon popullit shqiptar dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë zgjedhjen e tij.
“E kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, u shpreh Zampolli.
Ai shtoi se, nëse populli shqiptar e dëshiron një zhvillim të tillë, atëherë, sipas tij, “kjo është një gjë e mirë”.
Gjatë vizitës, i dërguari amerikan foli edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke e cilësuar vendin tonë një aleat dhe mik të rëndësishëm të Uashingtonit.
Zampolli tha se mesazhi që ai synon të përcjellë gjatë takimeve në Tiranë është se Shqipëria është një vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin.
“Ju jeni një aleat, jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajon dhe na pëlqejnë miqësitë afatgjata”, deklaroi ai.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme mes dy vendeve.
Një tjetër temë e diskutuar gjatë vizitës ishte bashkëpunimi në sektorin e shëndetësisë. Zampolli përmendi mundësinë e partneriteteve me Shtetet e Bashkuara dhe projektin për ndërtimin e një qendre të avancuar shëndetësore.
Duke folur për rëndësinë e investimeve në shëndetësi, ai ndau edhe një përvojë personale, duke treguar se prej katër vitesh po përballet me kancerin.
“Unë kam katër vjet që përballem me kancerin, ndaj e kuptoj se sa e vështirë është të kesh kancer”, tha Zampolli, duke e lidhur këtë përvojë me nevojën për zhvillimin e shërbimeve shëndetësore.
I dërguari amerikan tha se partneritetet me SHBA-në në këtë fushë mund të jenë të rëndësishme për Shqipërinë, duke përmendur edhe programe të administratës Trump në fushën e mjekësisë.
Sa i përket takimeve me përfaqësuesit shqiptarë, Zampolli tha se vizita e tij ka edhe një karakter simbolik, pasi synon të përcjellë respektin e administratës amerikane ndaj Shqipërisë.
“Kam ardhur këtu për të treguar respekt dhe për të vizituar vendin si i dërguar i posaçëm i Presidentit”, u shpreh ai.
Zampolli vlerësoi marrëdhëniet aktuale mes Tiranës dhe Uashingtonit, duke thënë se ato janë të mira dhe se mund të forcohen më tej.
Ai u pyet edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e Aleancës në rajon. Zampolli tha se NATO është një organizatë për të cilën ka nevojë komuniteti ndërkombëtar, ndërsa theksoi se kjo çështje nuk është pjesë e drejtpërdrejtë e agjendës së tij gjatë kësaj vizite



