Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar në rrjetet sociale për çmimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe problematikat që, sipas tij, shfaqen si brenda ashtu edhe jashtë aeroportit.
Braçe ka publikuar një rast konkret, duke ngritur shqetësimin për çmimin e një kapuçinoje, që sipas tij kushton 5.97 euro.
“5.97 €URO NJE KAPUCINO NE AEROPORT!! ME DUKET SHUME! E KAM GABIM?”, shkruan Braçe.
Ai vlerëson numrin rekord të udhëtarëve që përpunon Aeroporti i Rinasit dhe investimet që po kryhen në infrastrukturë, por shprehet kritik për çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Sipas Braçes, çmimet e larta nuk janë arsye për t’u mburrur, pavarësisht nëse faturën e paguan një shqiptar apo një turist i huaj.
“Ne mburremi me të drejtë me numrin rekord të udhëtarëve që ka pritur e përcjellë Aeroporti i Rinasit. Në një muaj, vit pas viti. Bëhet një punë e jashtëzakonshme në këtë aspekt. Por këto çmime nuk na bëjnë të mburremi, as për shqiptarët që paguajnë e as për të huajt që paguajnë njësoj”, shkruan ai.
Braçe ndalet edhe te organizimi dhe kushtet në aeroport. Ai pranon se punimet e infrastrukturës mund të krijojnë vështirësi të përkohshme, por kërkon më shumë rregull, disiplinë dhe orientim për udhëtarët.
Ai ngre shqetësime edhe për pastërtinë, duke theksuar se fluksi i madh i njerëzve sjell natyrshëm më shumë ndotje, por sipas tij situata mund të menaxhohet më mirë përmes organizimit dhe pastrimit.
Një tjetër problem që evidenton Braçe është trafiku në rrugën që të çon drejt aeroportit. Ai thotë se krijohen radhë të gjata për shkak të hyrje-daljeve dhe aktiviteteve të ndryshme që ndodhen përgjatë rrugës.
“Shiheni rrugën për të hyrë në aeroport – 2 kilometra radhë sepse në të ka hyrje-dalje banale që presin, për në parkingje, qendra të dhënies së makinave me qira, lavazhe, hotele e restorante, klube – secili prej tyre bllokon”, shkruan deputeti.
Në fund të reagimit, Braçe shprehet se duhet një plan i ri për organizimin e zonës përreth Rinasit, duke iu drejtuar Bashkisë së Tiranës.
“Shpresoj shumë që Bashkia e Tiranës vitin tjetër të ketë plane për të organizuar ndryshe Rinasin jashtë aeroportit”, përfundon Braçe.



