Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka reaguar ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ndalon përdorimin e celularëve gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.
Haxhia thotë se Dhoma e Avokatisë ka kërkuar zyrtarisht rishikimin e kësaj mase, por deri më 8 shtator nuk ka marrë asnjë përgjigje nga GJKKO.
Sipas tij, mungesa e një reagimi, qoftë edhe për të konfirmuar marrjen e kërkesës, përbën mungesë respekti institucional ndaj avokatëve.
“Me t’u përballur me këtë rregullore, kryetari i Dhomës, së bashku me kryetarin e Dhomës së Tiranës, kemi bërë reagimin e parë në media, duke kundërshtuar rregulloren e re si një akt që bie ndesh jo vetëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Strasburgun, por bie ndesh edhe me Kodin e Procedurës Penale”, u shpreh Haxhia.
Ai tha se pas reagimit publik, Dhoma e Avokatisë i ka dërguar një letër zyrtare GJKKO-së, përmes së cilës ka kërkuar rishikimin e rregullores.
“Deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional dhe na konfirmon në vazhdimësi trajtimin që u bëjnë avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”, deklaroi kreu i Dhomës së Avokatisë.
Për këtë çështje, Haxhia ka kërkuar gjithashtu një takim urgjent me kreun e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), me qëllim diskutimin e masës së re.
Sipas tij, është informuar se KLGJ nuk do të mblidhet para datës 15 shtator, por Dhoma e Avokatisë kërkon që takimi të zhvillohet sa më shpejt.
“I kam kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë masë dhe më është komunikuar që ky Këshill nuk mblidhet para datës 15. Ne insistojmë që duhet ta bëjmë këtë takim”, tha Haxhia.



