Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar lidhur me akuzat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për një skemë të pretenduar të trafikut ndërkombëtar të armëve.
I ftuar në News24, Braçe tha se nuk është në dijeni të detajeve të deklaratave të Ahmetajt, por theksoi se çdo qytetar ka të drejtë dhe njëkohësisht përgjegjësi që të denoncojë një fakt që mund të përbëjë vepër penale.
Sipas deputetit socialist, nëse organet ligjzbatuese disponojnë fakte dhe prova për elementë të një vepre penale, ato mund të nisin edhe një hetim kryesisht.
“Në konceptin tim, apo me aq sa e njoh unë çështjen e trafikut të armëve, nisur nga periudha kur kemi qenë në opozitë, trafiku i armëve është lidhur me vende në konflikt dhe ku shitja e armëve ka qenë e ndaluar me rezoluta të OKB-së. Fjala bie, në atë periudhë ne kemi shitur armë në Ruanda.”
Braçe përmendi gjithashtu Serbinë, duke thënë se ky vend ka përfituar nga kjo histori, si në aspektin e naftës, ashtu edhe të armatimit.
“Serbia ka qenë një nga vendet që ka përfituar pa masë nga kjo histori, qoftë me naftën, qoftë me armatimin.”
Megjithatë, deputeti socialist tha se nuk e di nëse Ahmetaj i referohet kësaj linje kur flet për trafikun ndërkombëtar të armëve.
“Nuk e di nëse zotëria ka parasysh këtë linjë të trafikut apo jo. Çdokush në këtë vend ka një të drejtë kushtetuese dhe legjitime që të kallëzojë. Kur bie në dijeni të një fakti të një krimi, qoftë edhe trafiku i armëve, duhet bërë kallëzim.”
Braçe theksoi se nëse ka elementë të një vepre penale, të mbështetur në fakte dhe prova, institucionet ligjzbatuese kanë mundësinë të veprojnë edhe pa një kallëzim paraprak.
“Patjetër, organet ligjzbatuese, në rast se ka elemente të veprës penale, të mbështetura në fakte dhe prova, mund të fillojnë edhe një hetim kryesisht.”
Reagimi i Braçes vjen në një kohë kur akuzat e Arben Ahmetajt për një skemë të pretenduar të trafikut ndërkombëtar të armëve kanë hapur debat politik dhe institucional, ndërsa opozita ka kërkuar edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar pretendimet.



