Shqipëria vijon të renditet nën mesataren e vendeve të OECD-së në tre fushat kryesore të vlerësimit të nxënësve, sipas rezultateve të PISA 2025, të publikuara këtë të martë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Testimi ndërkombëtar, që vlerëson aftësitë e 15-vjeçarëve në shkencë, matematikë dhe lexim, tregon se nxënësit shqiptarë kanë rezultate më të ulëta se mesatarja e OECD-së në të tria fushat. PISA 2025 ka përfshirë gjithashtu vlerësimin e aftësive për zgjidhjen e problemeve në mjedisin digjital.
Shkenca
Në Shqipëri, rreth 61% e nxënësve arritën të paktën nivelin 2 në shkencë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 74%.
Sipas OECD-së, nxënësit që arrijnë Nivelin 2 janë në gjendje të njohin shpjegimin e saktë për dukuri shkencore të njohura dhe, në raste të thjeshta, të përdorin të dhënat e dhëna për të vlerësuar nëse një përfundim është i vlefshëm.
Ndërkohë, vetëm 1% e nxënësve shqiptarë rezultuan performues të nivelit të lartë, duke arritur Nivelin 5 ose 6 në shkencë. Mesatarja e OECD-së për këtë kategori është 7%.
Matematikë
Edhe në matematikë rezultatet janë dukshëm nën mesataren e OECD-së. Vetëm 55% e nxënësve në Shqipëri arritën të paktën nivelin 2 të kompetencës, ndërsa mesatarja e OECD-së është 65%.
Leximi, një tjetër pikë e dobët
Situata është edhe më problematike në lexim. Sipas raportit të OECD-së, vetëm 50% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin 2 ose më lart, ndërsa mesatarja e OECD-së është 69%.
Kjo do të thotë se rreth gjysma e 15-vjeçarëve të testuar në Shqipëri nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të leximit të matur nga PISA.
Në nivelet më të larta, rezultatet janë edhe më të dobëta. Pothuajse asnjë nxënës shqiptar nuk arriti nivelin 5 ose më lart në lexim, ndërsa mesatarja e OECD-së është 6%.
Nxënësit në këto nivele të avancuara duhet të jenë në gjendje të kuptojnë tekste të gjata, të përballen me koncepte abstrakte dhe të dallojnë mes fakteve dhe opinioneve duke përdorur informacionin e përfshirë në tekst dhe burim.
Në PISA 2025 morën pjesë 5,959 nxënës shqiptarë në 160 shkolla, të cilët përfaqësojnë rreth 22,800 15-vjeçarë.
Në nivel global, në testimin e vitit 2025 morën pjesë më shumë se 760 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi, që përfaqësojnë rreth 33 milionë 15-vjeçarë.
OECD, paralajmërim të rëndësishëm për Shqipërinë
Raporti i PISA 2025 për Shqipërinë shoqërohet edhe me një kufizim të rëndësishëm metodologjik.
OECD bën të ditur se në Shqipëri shkollat me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm për PISA nuk u kontaktuan për të zhvilluar testimin. Sipas organizatës, këto shkolla ndryshojnë nga shkollat pjesëmarrëse si në përbërjen socio-ekonomike, ashtu edhe në rezultatet akademike.
Për këtë arsye, OECD paralajmëron se ekziston një boshllëk në mbulimin e kampionit dhe thotë se rezultatet e Shqipërisë në raportet ndërkombëtare publikohen me kufizime. Konkretisht, nuk raportohen tendencat e Shqipërisë me ciklet e mëparshme të PISA-s dhe kufizohet edhe publikimi i disa të dhënave të mbledhura përmes pyetësorëve.



