Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas përhapjes së një lajmi që, sipas saj, është i pavërtetë dhe që lidhet me shoqërimin në polici të një aktivisteje të protestës mbrëmjen e së martës.
Sipas pretendimit të përhapur, protestuesja ishte shoqëruar në komisariat pas një denoncimi të bërë nga deputetja Iris Luarasi. Por kjo është mohuar nga vetë deputetja, e cila e cilëson lajmin si “fake news” dhe thotë se shoqërimi i protestueses ka të bëjë me një tjetër incident.
Luarasi pretendon se aktivistja është shoqëruar në polici lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së automjetit.
“Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua”, shkruan Luarasi.
Deputetja thotë se deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor ndaj personave që, sipas saj, e kanë denigruar një ditë më parë. Ajo akuzon gjithashtu disa media dhe faqe në rrjetet sociale për manipulim të informacionit.
Një tjetër pikë që Luarasi ngre në reagimin e saj lidhet me përdorimin e imazhit të saj në një fotografi të manipuluar. Sipas deputetes, vendosja e fytyrës së saj mbi trupin e një gruaje tjetër është një formë “poshtërimi publik dhe dhune digjitale”.
“Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë”, shprehet ajo.
Luarasi vijon reagimin duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po përdoren lajmet e pavërteta dhe materialet e manipuluara në debatin publik.
“Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari”, shkruan deputetja.
Në fund, ajo bën një ndarje të fortë mes gazetarisë dhe asaj që e konsideron manipulim të qëllimshëm të informacionit.
“Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari”, përfundon Luarasi.
Reagimi i plotë i Iris Luarasit:
“FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.
Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.
Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari.”



