KreuDrejtësiaVila luksoze në “Green Coast” dhe tenderi 2.3 miliardë lekë/ SPAK zbulon...

Vila luksoze në “Green Coast” dhe tenderi 2.3 miliardë lekë/ SPAK zbulon skemën e Ballukut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thelluar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025 ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke bërë publike fakte të reja penale që lidhen me një tender të Unazës së Jashtme të Tiranës dhe një pasuri në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale hetimi, si dhe administrimi i provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë nxjerrë të dhëna për fakte të reja penale në ngarkim të Ballukut.

Procedimi penal ndaj saj lidhet me dyshime për “shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim dhe të kryer tetë herë, “korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrimin e produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”.

Tetë tendera nën hetim

SPAK bën me dije se hetimi për shkeljen e barazisë në tendera lidhet me tetë procedura prokurimi.

Bëhet fjalë për:

“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 Vlorë-Sarandë;
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Pikërisht ky i fundit është tashmë në qendër të një pjese të re të hetimit të SPAK.

Tenderi 2.3 miliardë lekë

Sipas SPAK, në lidhje me procedurën “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2,353,597,373.94 lekë pa TVSH, Balluku, në cilësinë e atëhershme të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Evis Berberi, si dhe me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

SPAK përmend konkretisht Miranda Shkurtin, Dhurata Lazajn dhe Nikollaq Mihalin si anëtarë të njësisë së prokurimit, ndërsa Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani si anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Sipas akuzës së SPAK, këta persona kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k., i shpallur fitues i procedurës.

Prokuroria thotë se veprimet dyshohet se janë kryer në kundërshtim me dispozita të ligjit “Për prokurimin publik”, ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe rregullave të prokurimit publik.

Vila në “Green Coast”, pasuria që SPAK thotë se ishte fshehur

Në pjesën e re të hetimit, SPAK ngre dyshime edhe për një pasuri të paluajtshme në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.

Bëhet fjalë për pasurinë e identifikuar si “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, për të cilën SPAK pretendon se është në pronësi faktike të Belinda Ballukut dhe se është mbajtur e fshehur.

Sipas prokurorisë, për fshehjen e kësaj pasurie të padeklaruar është përdorur shtetasi Igli Tare.

SPAK thotë se janë kryer veprime fiktive përmes një kontrate sipërmarrjeje të datës 26 tetor 2020, në vlerën 250 mijë euro, shumë e cila përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.

Por, sipas hetimit, ndërtimi i mëtejshëm i vilës është marrë përsipër nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme.

Sipas preventivit të punimeve, SPAK thotë se vlera e investimit të marrë përsipër nga Abazi varion nga 288,616 euro deri në 410,526 euro.

SPAK: Punimet në vilë në këmbim të favorizimit në tender

Një nga pretendimet kryesore të SPAK është se Balluku, për shkak të funksionit të saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt nga Arbër Abazi në formën e investimeve dhe punimeve në vilën në Palasë.

Sipas prokurorisë, këto investime dyshohet se kanë qenë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në procedurën e prokurimit për Lotin 7 të Unazës së Jashtme.

SPAK pretendon gjithashtu se, për të fshehur përfitimin që dyshohet se është krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, është përdorur sërish Igli Tare.

Sipas hetimit, janë kryer veprime të tjera fiktive për krijimin e dokumentacionit të pronësisë dhe regjistrimin e pronës në emër të Tares, përmes një kontrate shitjeje të datës 12 shtator 2025.

Dyshimi për mosdeklarim të pasurisë

SPAK thotë se Balluku, për shkak të funksionit që ka mbajtur, kishte detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj pasurie, por dyshohet se nuk e ka bërë këtë me qëllim fshehjen e saj.

Për këtë pjesë të hetimit, prokuroria dyshon se Balluku ka kryer veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë”, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese.

Ndërkohë, SPAK dyshon se Arbër Abazi ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, ndërsa Igli Tare dyshohet për pastrim të produkteve të veprës penale.

Edhe shoqëria “Alko Impex General Construction”, në pronësi të Arbër Abazit, dyshohet nga SPAK për korrupsion aktiv.

GJKKO sekuestron vilën në Palasë

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur më 9 shtator 2026, me vendimin nr. 591, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi vilën në kompleksin “Green Coast”.

Pasuria ndodhet në zonën kadastrale 1739 dhe është e regjistruar me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148.

Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, pasuria ka një sipërfaqe totale prej 478 metra katrorë, nga të cilat 478 metra katrorë truall dhe 142.6 metra katrorë ndërtesë.

Në përshkrimin e pasurisë përfshihen sipërfaqja e katit përdhe prej 142.6 metra katrorë, kati i parë prej 128.6 metra katrorë, si dhe dy sipërfaqe nën parkim, përkatësisht 20.1 dhe 40.2 metra katrorë.

Balluku nën hetim, SPAK vijon veprimet

Belinda Balluku është nën hetim nga SPAK për një sërë veprash penale që lidhen me tenderat, korrupsionin, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Për të janë caktuar më herët masa sigurie, përfshirë ndalimin për të dalë jashtë vendit dhe pezullimin nga ushtrimi i funksioneve publike.

SPAK deklaron se hetimet për procedimin penal nr. 136 të vitit 2025 vijojnë dhe se do të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe faktet penale që janë objekt i këtij procedimi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat