Detaje të reja dalin nga ngjarja e ndodhur në Komisariatin e Policisë Sarandë. Avokati Arben Llangozi ka reaguar për rastin, duke publikuar të dhëna që, sipas tij, tregojnë për një situatë shumë më të rëndë nga sa është raportuar fillimisht.
Llangozi pretendon se drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë ngjarjen, ndërsa sipas tij, hetimi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur vetëm pasi rasti është bërë publik.
“E vërteta që drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë tentuan ta mbanin të fshehur po del tashmë në dritë”, shkruan avokati.
Llangozi shkruan se ditën e djeshme ai bëri publik faktin se brenda ambienteve të Komisariatit të Sarandës kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, ku tre punonjës policie kishin mbetur për disa orë pa liri brenda zonës së dhomave të izolimit, ndërsa situata kishte dalë jashtë kontrollit të strukturave policore.
Sipas tij, rasti nuk ishte bërë transparent nga drejtuesit e Komisariatit dhe se, pas denoncimit të tij publik, AMP është vënë në dijeni dhe ka nisur hetimin.
Kamerat e sigurisë, të thyera
Një nga detajet më të rëndësishme që ngre avokati lidhet me kamerat e sigurisë në ambjentet e izolimit.
Sipas Llangozit, rreth orës 13:00 është kryer kqyrja e ambjenteve të brendshme të dhomave të izolimit dhe gjatë verifikimeve është konstatuar se kamerat e sigurisë në këto ambiente ishin dëmtuar dhe thyer.
“Më pas janë administruar pamjet filmike të disponueshme, nga të cilat rezulton se në zonën e izolimit ndodheshin rreth 20 persona të arrestuar dhe vetëm tre punonjës policie”, shkruan ai.
Sipas versionit të bërë publik nga avokati, të arrestuarit kanë kërkuar ushqim, pasi, sipas tyre, nuk u ishte dhënë nga policia. Nga ana e punonjësve të policisë, sipas tij, është refuzuar futja e ushqimit në ambientet e brendshme.
Pikërisht pas kësaj, vijon Llangozi, situata ka precipituar.
Sipas tij, të arrestuarit u kanë marrë çelësat punonjësve të policisë, kanë dalë në korridoret e dhomave të izolimit dhe tre efektivët kanë mbetur për disa orë në këto ambiente, pa pasur mundësi të lëviznin dhe të ushtronin normalisht funksionin e tyre.
Tre furgona të FNSH-së për të rikthyer kontrollin
Llangozi pretendon se situata ka qenë aq serioze sa për rikthimin e kontrollit në komisariat është dashur ndërhyrja e tre furgonave të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Sipas tij, vetëm pas negociatave është bërë e mundur lirimi i punonjësve të policisë dhe marrja nën kontroll e situatës. Megjithatë, avokati thotë se ngjarja është raportuar në sallën operative thjesht si “revoltë e të arrestuarve”.
Më pas, sipas tij, shefi i Komisariatit ka pezulluar tre punonjësit e policisë që ndodheshin brenda dhomave të izolimit.
“Pra, në vend që të sqarohej publikisht si humbi kontrolli i Komisariatit, kush kishte përgjegjësi komanduese dhe pse një ngjarje e tillë nuk u referua menjëherë me të gjithë rëndësinë e saj, përgjegjësia duket se është shkarkuar te tre punonjësit që vetë u gjendën të bllokuar brenda ambienteve”, shprehet Llangozi.
“Pse u mbajt e fshehur?”
Avokati ngre një sërë pyetjesh mbi mënyrën se si është administruar ngjarja.
Sipas tij, pyetja e parë është përse rasti është mbajtur i fshehur nga drejtuesit e Komisariatit të Sarandës dhe pse nuk është bërë menjëherë një kallëzim i plotë penal për atë që kishte ndodhur.
“Nëse tre punonjës policie janë mbajtur për orë të tëra pa liri, nëse të arrestuarit kanë marrë çelësat dhe kanë dalë në korridoret e izolimit dhe nëse është dashur ndërhyrja e forcave të posaçme për të rimarrë kontrollin, atëherë nuk mund të flasim për një episod të zakonshëm disiplinor”, shkruan ai.
Llangozi kërkon që të hetohet nëse në këtë rast ka elementë të veprave penale, por edhe nëse nga ana e drejtuesve mund të jenë konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës apo moskallëzimit të krimit, lidhur me mënyrën se si është administruar dhe, sipas pretendimit të tij, fshehur ngjarja.
Dyshimet për kamerat
Edhe dëmtimi i kamerave, sipas avokatit, duhet të jetë një nga pistat kryesore të hetimit.
“Kamerat nuk janë një detaj dytësor, por prova kryesore objektive për atë që ka ndodhur brenda dhomave të izolimit”, shprehet Llangozi.
Ai kërkon që të përcaktohet se kush i ka dëmtuar kamerat, në çfarë momenti janë thyer dhe nëse dëmtimi ka qenë i qëllimshëm për të zhdukur pamje që mund të ishin komprometuese.
Avokati ngre edhe një tjetër dyshim, duke thënë se ekziston mundësia që kamerat të jenë dëmtuar nga vetë punonjës të strukturës policore dhe kërkon që kjo pistë të mos lihet jashtë hetimit.
“Hetimi nisi vetëm pasi ngjarja u bë publike”
Një nga akuzat më të forta të Llangozi është se hetimi nuk ka nisur menjëherë pas ngjarjes, por vetëm pasi rasti u denoncua publikisht.
Kjo, sipas tij, ngre pikëpyetjen nëse ngjarja do të ishte hetuar nëse nuk do të ishte bërë publike.
“Po të mos ishte bërë denoncimi publik, a do të ishte hetuar ndonjëherë kjo ngjarje apo do të ishte mbyllur në heshtje brenda mureve të Komisariatit?”, pyet avokati.
Ai kërkon të zbardhet se kush kishte dijeni për ngjarjen, kush vendosi të mos e bënte publike, kush kishte detyrimin për ta kallëzuar dhe nuk e bëri, kush urdhëroi pezullimin e tre policëve dhe kush mban përgjegjësi reale për humbjen e kontrollit të ambienteve të izolimit.
Në reagimin e tij të ri, avokati kërkon që AMP dhe prokuroria të mos hetojnë vetëm sjelljen e të arrestuarve, por të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Sipas tij, duhet të sekuestrohen regjistrimet e sallës operative, komunikimet radio, urdhrat e shërbimit, log-et e sistemit të kamerave, pamjet e mbetura dhe çdo komunikim i drejtuesve para, gjatë dhe pas ngjarjes.
“Nuk mund të mbyllet një skandal i tillë duke pezulluar tre punonjës policie dhe duke heshtur për përgjegjësinë e drejtuesve”, shprehet Llangozi.
Ai kërkon që, nëse gjatë hetimit rezulton se ka pasur fshehje, mosreferim, manipulim të informacionit apo dëmtim provash, përgjegjësia të shkojë deri te çdo drejtues që ka pasur dijeni dhe detyrim për të vepruar.
Në përfundim, Llangozi thotë se ajo që po del në dritë, sipas tij, nuk është thjesht një “revoltë e të arrestuarve”.
“Është një histori ku Komisariati humbi kontrollin brenda ambienteve të veta, tre punonjës policie mbetën për orë të tëra pa liri, u deshën forca shtesë për të rikthyer rendin, kamerat u gjetën të thyera dhe hetimi nisi vetëm pasi ngjarja u denoncua publikisht”, shkruan avokati.
Ai kërkon që tashmë të zbardhet e gjithë e vërteta dhe jo, siç shprehet, “versioni i filtruar i drejtuesve të Komisariatit Sarandë”.



