Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve dhe ndërhyrjes së Policisë pranë selisë blu, ku disa protestues ishin strehuar pas përplasjeve me efektivët.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, po përpiqet të manipulojë protestën dhe të nxisë sulme ndaj selive të partive politike, pasi nuk arriti të realizojë skenarin e pretenduar për sulmin ndaj Kryeministrisë.
“Njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik, i them këtu që vendi i vetëm i azilit do të jetë qelia e burgut”, deklaroi Berisha, duke iu referuar Ramës.
Kreu i PD-së pretendoi se në selinë e Partisë Socialiste ishin futur persona të pajisur me hunj dhe mjete të tjera, ndërsa shtoi se plani për të nxitur sulme ndaj selive politike kishte dështuar.
Ai akuzoi më tej Policinë se kishte ndërhyrë në territorin e selisë së PD-së dhe kishte përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës pa pasur, sipas tij, arsye për një veprim të tillë.
“Policia në mënyrën më hakmarrëse dhunon territorin e Partisë Demokratike, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës”, u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi Ramën se do të mbahet përgjegjës për atë që e cilësoi manipulim të protestës, ndërsa deklaroi se demokratët do të vijojnë mosbindjen civile.
Berisha u ndal edhe te pretendimet për dhunë ndaj të miturve gjatë protestave, duke thënë se PD-ja do t’i mbrojë ata dhe duke përgëzuar demokratët që, sipas tij, u kanë dalë në mbrojtje.



