Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) kërkon hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për pretendimet për dhunë policore ndaj protestuesve në Tiranë, veçanërisht ndaj të miturve, pas protestave të ditëve të fundit.
Në një deklaratë publike, organizata shpreh shqetësim edhe për kushtet në të cilat po mbahen personat e ndaluar, si dhe për respektimin e të drejtave të tyre procedurale.
Gjatë monitorimit të kryer më 16 tetor 2026 në ambientet e sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, KShH konstaton se kishte mbipopullim dhe kushte të papërshtatshme. Sipas organizatës, në dhoma të projektuara për një person mbaheshin tre deri në katër persona, kryesisht të mitur.
KShH bën të ditur se disa prej të ndaluarve kanë pretenduar se janë dhunuar gjatë arrestimit dhe pas shoqërimit në ambientet e Policisë. Gjatë monitorimit, përfaqësuesi i organizatës ka vërejtur dëmtime fizike të dukshme në disa raste. Po ashtu, një i mitur është dërguar për herë të dytë në Spitalin e Traumës gjatë kohës së monitorimit.
Shqetësime janë ngritur edhe për vështirësitë në komunikimin e të ndaluarve me familjarët dhe avokatët, mungesën e kujdesit të duhur shëndetësor dhe marrjen në pyetje të të miturve pa praninë e psikologut.
Përballë këtyre pretendimeve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon që Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të kryejnë hetime të pavarura dhe efektive, duke shqyrtuar edhe përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve të Policisë dhe zinxhirit komandues.
Organizata i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të marrin masa për përmirësimin e kushteve të ndalimit dhe garantimin e të drejtave të personave të arrestuar.
KShH thekson se e drejta për tubim paqësor është themelore dhe se çdo ndërhyrje policore duhet të respektojë ligjshmërinë, domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin. Sipas organizatës, aktet e dhunshme të individëve dhe dëmtimi i pronës publike e private nuk mund të justifikojnë përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve të tjerë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit njofton se do të vijojë monitorimin e situatës dhe të reagimit institucional, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për çdo shkelje të mundshme.



