Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka regjistruar tre materiale kallëzuese lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave të fundit në kryeqytet. Në përgjigjen për E Vërteta.al, institucioni konfirmon se materialet lidhen edhe me dëmtimin e dy shtetasve dhe me veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit.
-Përplasjet mes protestuesve dhe policisë gjatë protestave të ditëve të fundit kanë vënë në fokus mënyrën se si është përdorur forca nga efektivët, veçanërisht gjatë incidenteve pranë Ministrisë së Arsimit.
Në kërkesën drejtuar Prokurorisë së Tiranës, E Vërteta.al kërkoi informacion nëse kishte nisur hetim për veprimet e policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe të mjeteve që protestuesit kanë pretenduar se ishin plumba gome, si dhe për identifikimin e efektivëve të përfshirë.
Në përgjigjen zyrtare, Prokuroria bën me dije se janë regjistruar tre materiale kallëzuese, të cilat po trajtohen në bashkëpunim me AMP-në.
“Materialet e regjistruara lidhen, ndër të tjera, me ngjarjet gjatë të cilave janë dëmtuar shtetasit L.B. dhe M.S., si dhe me veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Prokuroria nuk jep detaje të mëtejshme mbi rrethanat e dëmtimit të dy shtetasve, natyrën e veprimeve që po verifikohen apo nëse ka efektivë policie të identifikuar si përgjegjës për episodet e denoncuara.
Institucioni thekson se, në koordinim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po ndjek në vijimësi situatën për të dokumentuar çdo rast të mundshëm të shkeljes së ligjit dhe për të kryer veprimet përkatëse ligjore.
Ende pa përgjigje për plumbat e gomës dhe përgjegjësitë individuale
Në kërkesën për informacion, redaksia kërkoi sqarime edhe për objektet e paraqitura nga protestuesit si plumba gome, nëse ato janë marrë për ekspertim dhe nëse Prokuroria ka administruar pamjet filmike të përplasjeve.
Megjithatë, përgjigjja e dërguar nuk sqaron nëse këto objekte janë sekuestruar apo ekspertuar, nëse janë administruar pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale, apo nëse janë identifikuar efektivët që kanë përdorur mjetet e pretenduara.
Po ashtu, nuk bëhet e ditur nëse po verifikohet përgjegjësia e drejtuesve të policisë për urdhrat e ndërhyrjes dhe nëse përdorimi i forcës gjatë protestave ka qenë në përputhje me parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
E Vërteta.al
Policia qëllon protestuesit edhe me plumba gome/ Ku është Prokuroria?
“Na qëlluan me plumba gome”/ Protestuesit tregojnë objektet para kamerave
Përplasje të forta para Ministrisë së Arsimit/ Policia qëllon me gaz e plumba gome



