Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta në Tiranë është zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt Gjykatës së Apelit, ku protestuesit kanë dëmtuar hyrjen e godinës dhe kanë depërtuar brenda institucionit.
Pasi u larguan nga ambientet pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan drejt rrugës së Elbasanit, në drejtim të Gjykatës së Apelit. Sipas raportimeve, ata fillimisht hodhën gurë në drejtim të fasadës së institucionit dhe më pas u drejtuan te hyrja e godinës.
Gjatë përplasjes, protestuesit thyen derën e hekurt të gjykatës dhe barrierën metalike të vendosur për mbrojtjen e saj, duke hyrë më pas brenda ambienteve.
Dëmtime janë shkaktuar edhe në këndin e njoftimeve, godinën e rojës dhe hyrjen e dedikuar për publikun.
Policia ndërhyri pas incidenteve dhe nisi shoqërimin e disa të rinjve. Gjatë përplasjes, një efektiv policie mbeti i lënduar.
Ngjarja vjen dy ditë pas sulmit ndaj Gjykatës së Lartë, ku një pjesë e katit të parë të godinës u përfshi nga zjarri. Sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë kanë shtuar tensionet në kryeqytet, në një kohë kur protestat dhe përplasjet me policinë vijojnë.



