Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku i janë komunikuar zyrtarisht akuzat përfundimtare në kuadër të hetimit ndaj saj.
Sipas njoftimit të SPAK, datë 20 tetor 2026, Balluku përballet me disa akuza penale, mes të cilave shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv, fshehje ose mosdeklarim pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Konkretisht, Prokuroria e Posaçme e akuzon për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në nëntë raste. Në listën e akuzave përfshihen gjithashtu korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.
Një tjetër akuzë lidhet me mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë, për të cilën SPAK thotë se bëhet fjalë për dy raste.
Hetimi përfshin edhe dy pasuri të paluajtshme, për të cilat Balluku akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Në njoftimin zyrtar, SPAK bën të ditur se po vijon veprimet procedurale për t’ua komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Prokuroria nuk ka dhënë ende detaje të tjera, duke njoftuar se informacioni shtesë do të bëhet publik në një moment të mëvonshëm.
Komunikimi i akuzave përfundimtare shënon një fazë të rëndësishme të procedimit penal ndaj ish-zëvendëskryeministres.



