KreuAktualitetEkonomiaKush përfiton nga paratë e taksapaguesve?/ Si i mori Eraldo Rexho mbi...

Kush përfiton nga paratë e taksapaguesve?/ Si i mori Eraldo Rexho mbi 80 milion lekë nga buxheti i shtetit

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Pas denoncimit të gazetarit Elton Tozaj për financimet publike të lidhura me Eraldo Rexhon, redaksia E Vërteta.al kontrolloi dokumentacionin e pagesave të publikuara në regjistrin e Thesarit të Shtetit. Të dhënat e gjetura tregojnë 8,05 milionë lekë të rinj në pagesa të regjistruara gjatë viteve 2025–2026, për projektet “Selfie Museum” dhe “Mare Fest 2026”.

-Denoncimi i gazetarit Elton Tozaj ka rikthyer vëmendjen te fondet publike që përfitojnë personazhe të njohura të medias dhe showbiz-it.

Në një kohë kur studentët protestojnë për arsimin, korrupsionin dhe kushtet e jetesës, regjistri i shpenzimeve publike tregon se gazetari Eraldo Rexho ka përfituar mbi 8 milionë lekë të rinj nga institucione shtetërore gjatë viteve 2025–2026. Bëhet fjalë për fonde të dhëna për projekte të caktuara, por dokumentet ngrenë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje për mënyrën e financimit dhe rezultatet e këtyre projekteve.

Nga verifikimi rezulton se në emër të Eraldo Rexhos janë regjistruar katër pagesa, me vlerë totale 8 milionë e 50 mijë lekë të rinj. Tre prej tyre lidhen me grantin për “Selfie Museum”, ndërsa një pagesë tjetër është kryer nga Qendra Kulturore “A. Moisiu” për projektin “Mare Fest 2026”.

6,55 milionë lekë për “Selfie Museum”

Sipas listës zyrtare të përfituesve të granteve për startup-et, projekti “Selfie Museum”, me përfitues Eraldo Rexhon, figuron me një grant prej 6 milionë e 550 mijë lekësh në kategorinë e turizmit.

Regjistri i Thesarit tregon tri pagesa nga Agjencia Shtetërore për Mbështetjen e Startup-eve dhe Lehtësuesve. 1 milion e 965 mijë lekë, 2 milionë e 620 mijë lekë dhe 1 milion e 965 mijë lekë.

Projekti u promovua si një hapësirë argëtuese me instalacione fotografike në Tiranë. Në një intervistë të publikuar në vitin 2023, Rexho deklaroi se kishte aplikuar për mbështetje pasi ministria përgjegjëse për sipërmarrjen kishte hapur një thirrje për startup-et.

1,5 milionë lekë për “Mare Fest 2026”

Një pagesë tjetër prej 1 milion e 500 mijë lekësh rezulton e ekzekutuar më 12 gusht 2026 nga Qendra Kulturore “A. Moisiu”, me përshkrimin “Projekt kulturor Mare Fest 2026”.

Në total, pagesat e regjistruara në emër të Rexhos për këto dy projekte arrijnë në 8,05 milionë lekë të rinj.

Fondet publike dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve

Ndërsa shumë familje përballen me vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë për mënyrën si shpërndahen fondet e buxhetit.

Kur figura të njohura marrin financime nga institucionet shtetërore, lind një debat legjitim për transparencën dhe përgjegjësinë publike, veçanërisht në periudha kur studentët dhe qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar ndryshim. Qytetarët që financojnë buxhetin përmes taksave kanë të drejtë të dinë se kush merr fondet, për çfarë jepen ato dhe çfarë përfitohet në këmbim.

Pyetja që kërkon përgjigje është se si u përzgjodhën projektet, çfarë detyrimesh morën përfituesit dhe çfarë rezultatesh konkrete kanë prodhuar paratë publike.

Gjithashtu institucionet duhet të bëjnë publike kriteret e përzgjedhjes, kontratat, raportet e realizimit dhe mënyrën si kontrollohet përdorimi i parave dhe jo të krijojnë monopole duke i çuar paratë në xhepin e një personi.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat