Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mesditën e kësaj të enjteje një takim me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, pas dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave që prej më shumë se një jave po zhvillohen në Tiranë.
Në takim ishin të pranishëm edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi dhunën gjatë protestave si të orkestruar, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë elementë të jashtëm, grupe kriminale dhe forca që synojnë destabilizimin e Europës. Ai deklaroi se personat që ushtrojnë dhunë nuk përfaqësojnë studentët, të cilët sipas tij nuk janë nxitës apo mbështetës të akteve të tilla.
“ Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm”, u shpreh Rama, duke përmendur edhe lëvizjen “Antifa” dhe pretendime për lidhje mes kriminalitetit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri shprehu solidaritetin e tij me bankat e dëmtuara dhe tha se qeveria do të ndërmarrë hapa për adresimin e problematikave të ngritura. Ai solli në vëmendje edhe dëmtimin e Bankës së Shqipërisë, duke deklaruar se institucioni nuk ishte sulmuar as gjatë trazirave të vitit 1997.
Rama premton mbështetje për strehimin e studentëve
Gjatë takimit, kryeministri njoftoi se qeveria ka kaluar për në Kuvend projektligjin për strehimin social të përballueshëm. Sipas tij, nisma synon të adresojë edhe vështirësitë e studentëve për përballimin e kostove të qirasë.
Rama deklaroi se qeveria do të mbulojë 50% të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Njoftimi vjen në një kohë kur protestat kanë vënë në qendër të vëmendjes kërkesat e të rinjve dhe problematikat ekonomike e sociale, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të konkretizohen masat e paralajmëruara.
Sejko: Depozitat e qytetarëve janë të sigurta
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se pavarësisht tensioneve dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave, shërbimet bankare kanë vijuar funksionimin dhe depozitat e qytetarëve janë të sigurta.
“Pavarësisht tensionit, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë me likuiditet shumë të mirë”, u shpreh Sejko.
Ai theksoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë operacionet dhe do t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë protestave në Tiranë janë dëmtuar rreth 38 degë të bankave të nivelit të dytë dhe 42 bankomate.
Ndërsa qeveria ka shprehur gatishmërinë për të adresuar dëmet dhe kërkesat e studentëve, protestat vijojnë të mbeten në qendër të debatit publik, mes përplasjes për përgjegjësinë e akteve të dhunshme dhe kërkesave të protestuesve.



