Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas pretendimeve të gazetarit Blendi Fevziu se godina historike e Teatrit të Kukullave në Tiranë mund të ndryshojë destinacion dhe të kthehet në një qendër kulturore hebraike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja i ka cilësuar këto pretendime të pavërteta, duke garantuar se godina nuk do të ndryshojë funksion dhe do të vijojë të shërbejë si Teatër Kukullash.
Ministri shprehet se i vjen keq që duhet të përgënjeshtrojë një gazetar dhe mik, i cili, sipas tij, kishte mundësi të verifikonte informacionin përpara se të publikonte një hipotezë të tillë.
“Teatri i Kukullave nuk do të shndërrohet në asnjë funksion tjetër, nuk do të ndryshojë destinacion dhe as nuk do të bëhet një qendër kulturore hebraike!”, shkruan Gonxhja.
Ai thekson se godina ruan identitetin e saj si një prej institucioneve më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në Tiranë. Për të mbështetur këtë qëndrim, ministri ka publikuar edhe shifrat e aktivitetit të institucionit, duke bërë të ditur se vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë zhvilluar 158 shfaqje, të ndjekura nga 16 725 spektatorë.
Gonxhja sqaron gjithashtu se godina historike është restauruar dhe rikthyer në funksion përmes programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS.
Përveç shfaqjeve teatrale, në këtë godinë ndodhen edhe Ekspozita Muzeale e Kukullave dhe Ekspozita Muzeale e ish-Parlamentit.
Në reagimin e tij, ministri kundërshton edhe mënyrën se si është trajtuar tema në publik, duke argumentuar se një institucion me rëndësi simbolike për kryeqytetin nuk duhet të paraqitet si i zëvendësueshëm përmes pretendimeve të pakonfirmuara.
“Teatri i Kukullave ka një identitet të qartë, një program të vazhdueshëm dhe mijëra spektatorë që i japin jetë”, përfundon Gonxhja, duke bërë thirrje për kujdes në publikimin e informacioneve dhe shmangien e dezinformimit.



