Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka prezantuar në Kuvend prioritetet e projektbuxhetit për vitin 2027, duke bërë të ditur se fondi për këtë ministri do të arrijë në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026.
Një pjesë e konsiderueshme e financimit do të shkojë për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas planit të paraqitur nga ministri, për politikën e re të pagave janë parashikuar 3,3 miliardë lekë.
Rreth 8 174 punonjës policie me gradën inspektor pritet të përfitojnë 23 600 lekë më shumë në muaj, ose një rritje prej 27%. Ndërsa për punonjësit me grada të tjera, rritja do të jetë 15 mijë lekë në muaj, nga 13% deri në 17%, në varësi edhe të vjetërsisë në punë.
Krahas rritjes së pagave, projektbuxheti parashikon 2,8 miliardë lekë për investime të brendshme dhe 1,85 miliardë lekë për projektin “Smart City”, i cili synon zgjerimin e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit dhe forcimin e luftës kundër paligjshmërisë.
Gjatë prezantimit, Demo bëri të ditur se në vitin 2027 do të nisë edhe investimi për ndërtimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Ministri theksoi se rritja e financimit për Policinë duhet të shoqërohet me më shumë profesionalizëm dhe llogaridhënie. Në këtë drejtim, ai veçoi reformën në Akademinë e Sigurisë, e cila po zhvillohet me mbështetjen e institucioneve homologe italiane, me synimin për të përmirësuar formimin dhe standardet profesionale të efektivëve.
49,4 miliardë lekë për bashkitë
Një tjetër zë i rëndësishëm i projektbuxhetit të vitit 2027 është pushteti vendor. Sipas ministrit, transferta nga buxheti i shtetit për bashkitë do të arrijë në 49,4 miliardë lekë, me një rritje prej 4%.
Ndërkohë, Granti i Performancës do të vijojë të financohet me 200 milionë lekë, me synimin për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Reforma Territoriale, decentralizimi dhe forcimi i kapaciteteve financiare e administrative të bashkive janë gjithashtu pjesë e prioriteteve të parashikuara.
Sa i përket procesit të rindërtimit, Demo bëri të ditur se nga buxheti i vitit 2026 do t’i akordohen Bashkisë së Tiranës 1,8 miliardë lekë për përshpejtimin e këtij procesi. I njëjti nivel mbështetjeje financiare për bashkitë e prekura nga tërmeti parashikohet edhe për vitin 2027.
Në përfundim të prezantimit, ministri deklaroi se rezultatet e buxhetit duhet të maten përmes përmirësimit konkret të sigurisë publike, cilësisë së shërbimeve dhe afrimit të institucioneve me qytetarët.



